Rusia sulmon Kievin gjatë vizitës së Guterres

Nga A2 CNN
29 Prill 2022, 10:45 | Aktualitet
Rusia sulmon Kievin gjatë vizitës së Guterres

Pas një periudhe të shkurtër qetësie, sirenat e luftës u dëgjuan sërish në kryeqytetin ukrainas. Raketat ruse goditën Kievin gjatë vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm Antonio Gueterres.

Dy shpërthime u shënuan në distriktin Shevchenko, në kryeqytet, me pasojë plagosjen e tre personave. Sipas autoriteteve, raketat shënjestruan godinat rezidenciale, njëra prej të cilave pranë hotelit ku po qëndronte Guterres.

Kryebashkiaku Vitali Klischko tha se Kievi ishte ende një vend i rrezikshëm: “Kievi është ende një zonë e rrezikshme dhe shënjestër e trupave ruse. Kryeqyteti është qëllimi i tyre dhe duan ta pushtojnë. Por, nuk kanë shansin ta bëjnë, falë forcave dhe ushtarëve të Ukrainës që shkatërruan planet e ushtrisë ruse”. 

Sulmet ndodhën rreth një orë pasi Guterres dhe Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky përfunduan konferencën për shtyp, ku Guterres kritikoi Këshillin e Sigurimit, që është pjesë e organizatës së drejtuar prej tij, pasi, siç tha, dështoi të parandalonte apo t’i jepte fund luftës: “Sot, Ukraina është epiqendra e një dhimbje të padurueshme. E dëshmova këtë në mënyrë shumë të gjallë në qytezat rreth Kievit. Humbja e pakuptimtë e jetëve njerëzore, shkatërrimi masiv, janë shkelje të papranueshme të të drejtave të njeriut dhe ligjeve të luftës. Me lejoni të jem i sinqertë: Këshilli i Sigurimit dështoi të bënte gjithçka që kishte në dorë për të parandaluar apo për t’i dhënë fund luftës”. 

Detyra kryesore e Këshillit të Sigurimit prej 15 anëtarësh është të sigurojë paqen dhe sigurinë globale. Por, ai është përballur me kritika, përfshirë nga qeveria e Ukrainës, pasi dështoi të vepronte qe prej fillimit të luftës ruse. Moska është një prej 5 anëtarëve të përhershëm të këshillit dhe ka vendosur veton ndaj rezolutave që kërkojnë fundin e luftës.

Gjatë vizitës në Ukrainë, Guterres dëshmoi tmerret e luftës ruse në qytezat e Bucha, Borodjanka dhe Ripin, dhe bëri thirrje për të shpëtuar mijëra njerëzit e bllokuar në qytetin e kthyer në rrënoja të Mariupolit.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos