Safet Bajri kërkon lirimin nga qelia

Nga A2 CNN
30 Dhjetor 2020, 13:07 | Kronikë

Safet Bajri, shkodrani i arrestuar me bujë në vitin 2018 nga Operacioni Forca e Ligjit, si pjesë e grupit “Bajri”, kërkon të lirohet nga qelitë e burgut. 36-vjeçari, i njohur edhe me mbiemrin Rustemi, po vuan një dënim me 8 vjet e 9 muaj burg, të dhënë në vitin 2017 nga Gjykata e Brukselit në Belgjikë, si drejtues i një grupi kriminal të angazhuar në prostitucion dhe gjobëvënie.

Kërkesa e tij për lirim me kusht nga burgu i është drejtuar Gjykatës së Tiranës, e cila ka shpallur moskompetencë për shqyrtimin e saj. Sipas gjykatës, kërkesa duhet të shqyrtohet nga Gjykata e Fierit, për shkak se Bajri është duke vuajtur dënimin në burgun e këtij qyteti.

Safet Bajri u prangos në shtator të vitit 2018 në zonën e “Xhamllikut” në kryeqytet, teksa ishte në kërkim për llogari të një dënimi me burg të dhënë nga drejtësia belge. Në të njëjtin operacion të zhvilluar nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda, u arrestuan edhe dhjetë persona të tjerë të akuzuar si anëtarë të grupit “Bajri”, të dyshuar për “vrasje” dhe “gjobëvënie” në Shkodër.

Dyshimet e ngritura nuk u provuan më tej dhe hetimi i kaloi Prokurorisë së Shkodrës. Pak ditë më parë, Gjykata e Shkodrës mbylli gjykimin ndaj tyre, duke i fajësuar vetëm për “armëmbajtje pa leje”, vendim që solli edhe lirimin e të pandehurve për shkak se e kishin konsumuar dënimin me kohën e paraburgimit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos