
Ndalohet një 32-vjeçar, i cili dyshohet se ka arritur të marrë shuma të mëdha parash nëpërmjet mashtrimit kompjuterik.
Në pranga ra i riu D.T., banues në Durrës, i dënuar disa herë më parë për vepra të ndryshme penale si “Vetëgjyqësia”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”, dhe “Mashtrim”.
Operacioni policor i koduar "PLATFORMA", u zhvillua pas një hetimi 6-mujor në lidhje me kallëzimin e marrë nga një bankë e nivelit të dytë, për veprën penale, “Mashtrimi kompjuterik".
Dyshohet se i riu, duke përfituar dhe nga situata e pandemisë Covid-19, për hapjen e llogarive bankare për përfitimin e “Pagës së luftës”, kishte hapur një llogari bankare në një bankë të nivelit të dytë.
Kjo llogari ishte hapur në mënyrë që ai të shfrytëzonte një hapësirë që gjendej në shërbimin bankar digjital. Pas kësaj, 32-vjeçari ka arritur të kryejë 36 transaksione financiare në një vlerë 15 533 510 lekë të reja, në llogari të ndryshme të bankave të tjera të nivelit të dytë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
Pas transferimit të shumave të ndryshme, ai kryente tërheqje nga bankat ku ishin transferuar këto fonde, nëpërmjet kartave bankare ose duke u paraqitur vetë në bankë.
Gjithashtu, ka tentuar t’i tërheqë këto fonde dhe nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Policia njofton se po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal, ndërsa materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë. (A2 Televizion)