
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka vendosur, këtë të mërkurë, që ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ta kryejë dënimin në IEVP Fier.
Gjykata e Posaçme e Apelit e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg ish-ministrin e Brendshëm për shpërdorim detyre. Gjykata vendosi të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, me ndryshim, moszbatimin e shërbimit të provës. Gjykata mban në vëmendje shkallën e lartë të trafikut të narkotikëve, duke thënë se provohet përtej çdo dyshimi se Tahiri ka përfituar nga Habilajt. Për Jaeld Çelen, në rastin e peshkarexhës “Fatima”, është vërejtur përfshirja e punonjësve të policisë.
Gjykata ka konkluduar se janë të provuara:
– Lidhja e qëndrueshme në kohë dhe e dokumentuar me Moisi dhe Artan Habilajn.
– Lidhje të tille të pashpjegueshme të tyre me ministrin, që janë të njohura në komunitetin e funksionarëve lokalë e qendrorë, kanë krijuar premisa më të favorshme për grupin kriminal për infiltrimin e tyre në radhët e policisë e të shtetit, duke i sjellë për pasojë vështirësi dhe pengesa shtetit në luftën ndaj veprimtarisë kriminale.
Gjykata mban në vëmendje shkallën e lartë të aktiviteteve të paligjshme furnizuese me lëndë të parë të trafikut të narkotikëve, që krijon lidhjen e drejtpërdrejtë të mosveprimit në mënyrë të paligjshme të autoriteteve shtetërore.
Nuk janë marrë masat e duhura për të vënë në eficiencë policinë e Vlorës për parandalimin. I pandehuri ka përfituar nga Moisi e Artan Habilaj shërbime e përfitime të padrejta, duke cenuar interesat e shtetit. (A2 Televizion)