
Policia e Lezhës finalizoi me sukses një operacion antidrogë në Kurbin gjatë së cilit u sekuestruan 613 kg kanabis sativa dhe një gomone që do të përdorej për transportin e saj.
Drejtoria e Policisë Kufitare Durrës, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në Lezhë dhe Komisariatin e Kurbinit, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se dy shtetas dispononin një sasi lëndë narkotike, finalizuan operacionin policor të koduar "Godull".
Gjatë kontrollit të ushtruar në vendin e quajtur "Godull" në Kurbin, në një ambient në pronësi të shtetasit S. Z., efektivët gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 613 kg kanabis sativa, si dhe në një ambient tjetër, po në pronësi të këtij shtetasi, gjetën dhe një gomone.
Në pranga u vunë shtetasit S. Z., 60 vjeç dhe R. S., 28 vjeç të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin do trafikonin lëndën narkotike.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Shkallës së Parë Kurbin, për veprat penale “Trafikim i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë. (A2 Televizion)