
Themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës. Ky është mesazhi që përcjell Departamenti amerikan i shtetit pas bisedimeve të fundit në Bruksel, që u mbyllën më pajtim për planin europian për normalizimin e marrëdhënieve, por pa dakordësi për zbatimin e tij.
“Takimi i djeshëm ishte një hap i mirë përpara, por mbetet ende punë e vështirë. Marrëveshja mbi planin e zbatimit është thelbësore për normalizimin sipas propozimit të BE-së. Përparimi drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe mbetet kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një vend sovran, shumetnik dhe i pavarur i integruar në strukturat euroatlantike”, deklaroi zëdhënësi i DASH, Ned Price.
Më herët, gjatë së martës edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha se palët duhet të fillojnë menjëherë diskutimet për zbatimin e propozimit evropian por edhe përmbushjen e marrëveshjeve të deritashme, përfshirë edhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
”Besoj se me këtë marrëveshje bazë, Kosova e ka kuptuar që duhet ta formojë Asociacionin. Nuk dua të vendos afate kohore, mirëpo dua të them se diskutimi duhet të nisë menjëherë. Bashkimi Europian paralajmëroi takime të reja në kuadër të diskutimeve rreth zbatimit të propozimit evropian që u kërkon palëve të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë territoriale të njëra-tjetrës”, shtoi ai.
Si Escobar ashtu edhe zëdhënësi i BE, Peter Stano, thanë të martën se plani europian nuk përfshin njohjen e ndërsjellë dhe se qëllimi i tij është normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve. I dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak pritet të vizitojë Kosovën dhe Serbinë për të diskutuar planin e zbatimit para se të organizohet takimi i radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç. (A2 Televizion)