
Aksioni policor “Bregdeti ynë” nga ndërtimet pa leje është fokusuar tashmë në lirimin e hapësirave publike në plazhe dhe verifikimin e zonave për të cilat subjektet janë pajisur me leje për shfrytëzimin e plazheve.
Velipoja ishte plazhi i parë ku policia ka nisur verifikimet në plazhe, ndoshta nisur kjo edhe nga ngjarja tragjike me katër të vrarë disa ditë më parë, ku shkaku i konfliktit ishin pikërisht mosmarrëveshjet për shfrytëzimin e plazheve. Dhe me sa duket probleme të tilla ka ende, por fatmirësisht kësaj radhe është policia prezente.
Gjatë aksionit policor në Velipojë u vërejt mungesa e topografit, i cili do të mund të përcaktonte saktë sipërfaqet e parcelave për të cilat subjektet kanë marrë përgjigje paraprake për t’i shfrytëzuar, pasi efektivët e policisë nuk ishin në gjendje të verifikonin sipërfaqet sipas hartave që u paraqiteshin. Ndërkohë, aksione të ngjashme janë zhvilluar edhe në plazhet e Durrësit, Kavajes dhe Zvërnecit në Vlorë. Atje ku janë vërejtur zaptim të paligjshme të hapësirave të plazheve polica ka bërë heqjen e shezlongëve dhe çadrave. (A2 Televizion)