
Kuvendin e 18 dhjetorit Lulzim Basha e cilësoi si shkëputje nga e kaluara. Në një fjalim 60-minutësh, Basha i kërkoi demokratëve të mbështesë linjën e tij e jo të Berishës, duke parashtruar si argument kryesor ambicien e demokratëve, rikthimin në pushtet. “Fitorja nuk mund të vij kurrë duke pasur një “non grata” në radhët tona dhe as duke nënshtruar dhe kthyer gjithë partinë në “non grata” për fatin e një personi”, tha Basha.
Shkëputja nga e shkuara për kryedemokratin vjen në dy drejtime kryesore. “Do të jemi partia më e pastër në Shqipëri në përbërje të saj duke mos lejuar në radhët tona dhe në ekipet drejtuese njerëz që turpërojnë shoqërinë shqiptare. Nuk do të lejojmë njerëz që kanë lidhje me historinë e dhimbshme që ka qenë diktatura e Enver Hoxhës. Nuk do të lejojmë në strukturat drejtuese të PD-së, njerëz që cenojnë orientimin perëndimor të Shqipërisë”.
Basha pranoi se ai është pjesë e fajit duke pretenduar se në tetë vjet ka pasur një dualizëm në drejtimin e PD-së ndërmjet tij dhe Berishës. PD-ja e re e Bashës nis duke kthyer paqen me Amerikën. Duke përdorur një citim të Sali Berishës, Basha shënoi një tjetër ndarje me filozofinë e tranzicionit. (A2 Televizion)