
Një hetim i nisur nga Shërbimi i Sigurisë Diplomatike në Ambasadën Amerikane në vendin tonë u finalizua pas një viti nga policia shqiptare ndërsa në pranga përfunduan 24 persona.
Të arrestuarit merrnin shuma që varionin nga 5 deri në 10 mijë euro dhe falsifikonin dokumente të ndryshme të Bashkimit Evropian për klientë të cilët si destinacion final kishin Shtetet e Bashkuara.
“Hetimet në lidhje me këtë grup kriminal filluan pas evidentimit të një rasti të shitjes së një pasaporte të falsifikuar amerikane në Tiranë dhe më pas u zgjerua dhe u zhvillua në një hetim të madh ndaj një grupi kriminal ndërkombëtar, dedikuar kalimit të paligjshëm të kufijve shtetëror, të falsifikimit të dokumenteve të ndryshme si karta identiteti, pasaporta, leje drejtimi, karta shëndetësore etj. Ky grup kriminal, pasi siguronte dokumente të dyshuara të falsifikuara në Shqipëri, por edhe në vende të ndryshme si në Kosovë etj, rekrutonte persona të interesuar, me qëllim udhëtimin e tyre për në SHBA, Kanada, Mbretëri të Bashkuar dhe gjithashtu u siguronte akomodimin në vende të ndryshme të BE-së apo biletat e udhëtimit”, tha Veliu.
Sipas Veliut, shpërndarja e dokumenteve të falsifikuara bëhej me autobuzë të agjencive turistike: “Anëtarët e këtij grupi kriminal, dokumentet e dyshuara të falsifikuara i dërgonin me autobusë të agjencive turistike, kryesisht në Itali dhe në Gjermani dhe nga aeroportet e këtyre vendeve shtetas të ndryshëm tentonin t’i përdornin dokumentet e falsifikuara me qëllim destinacionin e tyre final SHBA, Kanada, Mbretëri e Bashkuar”.
Njësia e Përbashkët Hetimore u mbështet nga 300 forca policie në shkallë vendi, ndërsa, sipas kreut të policisë u finalizua në një kohë rekord prej 17 minutash në goditjen e grupit kriminal. (A2 Televizion)