
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrin ka reaguar për ngjarjen e një dite më parë ku u shoqëruan në komisariat aktivistët Astrit Seranaj, Donald Martini, Gentian Hasani, dhe Ergys Mërtiri.
AMK bën me dije përmes një deklarate për shtyp se ndaj aktivistëve është ushtruar dhunë dhe për këtë arsye thërret një protestë ditën e sotme në orën 18:00 ku do të kërkohet shkarkimi i efektivëve të përfshirë në ngjarje, duke filluar nga drejtori i policisë, Ardi Veliu.
“Dje disa nga pjesëtaret e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, Astrit Seranaj, Donald Martini, Gentian Hasani, dhe Ergys Mërtiri janë ndaluar dhunshëm nga policia në përpjekjen e tyre për të bërë liven e përditshëm para sheshit të teatrit.
Brenda ambienteve të komisariatit dhuna është përshkallëzuar. Në prani të dhjetëra efektivëve të policisë, disa prej tyre janë përpjekur të zhdukin provat nga celulari i Ergys Mërtirit, të tjerë kanë goditur në fytyrë me grushta dhe shkelma Astrit Seranaj dhe Donald Martinin koreograf i njohur, pikërisht ditën që ai fitoi një çmim prestigjioz në Los Angeles Usa duke ngritur lart kulturën shqiptare.
E konsiderojmë këtë një akt shumë të rëndë që cenon të drejtat dhe liritë e njeriut në Shqipëri ndaj kërkojmë:
1. Marrjen a masave nga Policia e Shtetit ndaj efektivëve që ushtruan dhunën pa motiv, shkarkimin dhe procedimin penal të tyre.
2. Shkarkimin dhe procedimin penal të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Z.Ardi Veliu.
3. Ristrukturimin e Policisë së Shtetit që ajo ti rikthehet qytetarëve.
Sot në orën 18.00 në sheshin para Ministrisë së Brendshme. Së bashku për ti rikthyer dinjitetin Policisë së Shtetit”, shkruhet mes të tjerash në njoftim. (A2 Televizion)