
“Platforma për kontrollin e çmimeve është kryekëput për plaçkitjen dhe grabitjen e qytetarëve”. Kështu u shpreh ish-kryeministri Sali Berisha në seancën parlamentare të pasdites së kësaj të hëne, teksa kërkoi futjen në rend të ditës, problematikën e çmimeve në vend. Ai e cilësoi platformën për kontrollin e çmimeve të bërë nga grupet mafioze për të zhvatur xhepat e qytetarëve.
“Të futet në rendin e ditës një anketë e re e narkoqeverisë e cila bazohet në pyetësorin jo të 500 mijë, por 1.2 mln shqiptarëve, kjo anketë e re dëshmon se qytetarët mendojnë se qeveria është bërë një e grupet mafioze të spekulimit dhe e tërë platforma e shpallur për kontrollin e çmimeve është kryekëput platformë për plaçkitjen, grabitjen e qytetarëve. Shkoni dhe bisedoni me furrat e bukës, pastiçierët, bar-man-ët. Çfarë thonë? Të gjitha thonë se qeveritarët po i ndajnë me bordet e tyre. Ju flisni këtu në emër të 500 mijë shqiptarëve, unë flas në emër të 1.2 milionë shqiptarëve. Pse u mërzit ju kjo statistikë? E kuptoni ju që sot çdo shqiptar sheh këtu një grup shushunjash që janë vërsulur mbi xhepat e tyre me çmimet e energjisë, ushqimeve, transporteve, me të gjitha çmimet dhe po iu thithin gjakun. E nga ana tjetër ju daklaroni se po i lumturoni. E kuptoni që po iu jepni vetëm thërrimet e atyre parave që po u vidhni shqiptarëve?", tha Berisha.
Por kjo kërkesë e ish-kryeministrit hasi në kundërshtinë e kryeparlamentares Lindita Nikolla, e cila i ndërpreu fjalën me arsyetimin se propozimi për ndryshimin e rendit të ditës duhet të paraqitet me shkrim. (A2 Televizion)