
Sirenat e alarmit ranë mesditën e së martës në Mitrovicën e Veriut, e bashkë me to u aktivizua frika për një tjetër shpërthim të dhunshëm të tensioneve.
Qindra pjesëtarë të komunitetit serb u grumbulluan pranë “Lagjes së boshnjakëve”, pas një aksioni të Policisë së Kosovës që përfundoi me arrestimin e shtetasit serb Millun Milenkoviç- Llune, i dyshuar për organizimin e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it. Siç bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, 3 policë mbetën të lënduar në aksion.
“Policia e Kosovës ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njëjti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan. Gjatë arrestimit të tij, janë sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe si pasojë tre nga ta janë të lënduar lehtë”, tha Sveçla.
Teksa qindra serbë u grumbulluan pranë shkollës teknike në “Lagjen e boshnjakëve”, njësitë speciale të Policisë së Kosovës, të shoqëruara nga autoblinda, shtuan praninë në zonë. Megjithatë, u tërhoqën më vonë në drejtim të jugut me pretendimin se do të riorganizoheshin. Sipas raportimeve, një kërkesë e tillë ka ardhur nga KFOR-i.
Nën zhurmën e sirenave që zgjatën më shumë se një orë, protestuesit thërrisnin “Tradhëti” duke i drejtuar edhe sharje Presidentit serb Aleksandër Vuçiç. Ata shprehën revoltën edhe ndaj Listës Serbe, duke thënë se nuk mund të përfaqësojë më popullsinë atje. Serbët lokalë penguan gazetarët të xhironin pamjet e zhvillimeve në zonë, e u raportua për sulm ndaj një ekpi të ATV-së. Në një reagim, drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha se Millun Millenkoviç-Llune nuk është kriminel dhe se Policia e Kosovës nuk ka prova për akuzat që rëndojnë ndaj tij. (A2 Televizion)