
21-vjeçarët e Zvicrës nuk kanë arritur të rrëmbejnë të paktën një pikë ndaj Italisë në ndeshjen e dytë të Kampionatit Europian.
Shpresat e Italisë zhvilluan një pjesë të parë gati perfekte, teksa shënuan 3 herë, por pjesa e dytë ishte krejtësisht diçka tjetër.
Me tre lojtarë me origjinë shqiptare, portieri Saipi e dy mesfushorët Imeri e Jashari, Zvicra e nisi pjesën e dytë në sulm. Në minutën e 47, Imeri realizoi një gol mjaft të bukur, ndërsa vetëm 5 minuta më pas zviceranët realizuan edhe golin e dytë. Italia e përgjumur rrezikoi shumë edhe në vazhdim, por në fund arriti të merrte pikët e plota pas humbjes në ndeshjen e parë ndaj Francës.
Edhe në këtë ndeshje, arbitri ishte protagonist dhe veprimet e tij u kontestuan shpesh. Italia pretendoi një penallti, ndërsa lojtarët e Zvicrës protestuan gjatë për dy penallti. Kujtojmë që në këtë kampionat Europian për 21-vjeçarët mungon sistemi VAR.
Ndërkohë, Gjermani zhgënjeu sërish. Pas barazimit në ndeshjen e parë ndaj Izraelit, ata u mposhtën këtë të diel 2-1 nga Çekia dhe tashmë kalimi i grupit është vënë në pikëpyetje serioze. (A2 Televizion)