Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, në mbledhjen e Gjyqtarëve të Republikës, ka lëshuar kritika të ashpra ndaj Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe politikanëve.
Sipas tij, vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit ishte “një vdekje e paralajmëruar”.
“Prej vitesh, gjyqtarët janë bërë shënjestër e fyerjeve, kërcënimeve dhe denigrimeve. Në vend që të mbrohej pavarësia e gjyqësorit, është goditur autoriteti i tij. Në vend që të ndërtohej respekti ndaj drejtësisë, është nxitur përbuzja ndaj saj. Në vend që të ngrihej besimi te ligji, është lejuar që opinioni publik të helmohet nga gjuha e urrejtjes dhe paditurisë”, tha fillimisht Sadushi, shkruan A2.
Sadushi kritikoi politikën, duke i bërë fajtorë për klimën që është krijuar ndaj gjyqtarëve: “Politikanë të lartë të vendit, të pushtetit apo të opozitës, ndjejnë sot lehtësi për të fyer, anatemuar apo tallur gjyqtarin që merr një vendim, ndoshta edhe pa e lexuar arsyetimin, pa pritur ankimin dhe pa respektuar hierarkinë gjyqësore. Në vend që të respektojnë procesin ligjor, ata nguten të vendosin vetë “drejtësinë” në mikrofon e kamera, duke gjykuar magjistratin si të ishte palë politike”.
Më tej, kritikoi edhe vetë aktorët e drejtësisë: “Përpara se të drejtojmë gishtin nga të tjerët, ne duhet të fillojmë nga vetja. Duhet ta pranojmë me ndershmëri se drejtësia shqiptare nuk është ende në lartësinë që shoqëria pret prej saj. Duhet ta themi hapur: vonesat në gjykimin e çështjeve, zvarritjet e panevojshme procedurale dhe mosrespektimi i afateve ligjore për arsyetimin e vendimeve janë plagë të dukshme që dëmtojnë besimin e publikut. Ka raste ku proceset zvarriten për vite të tëra, pa një arsye të justifikuar, duke e kthyer pritjen e qytetarit për drejtësi në një dënim më vete. Ka vendime që mbeten të paarsyetuara në kohë, dhe të tjera që ndryshojnë nga një gjykatë në tjetrën, duke krijuar pasiguri dhe perceptim për mungesë koherence e drejtësie. Një gjyqësor që nuk është i parashikueshëm në jurisprudencën e tij, humbet forcën e ligjit dhe respektin e publikut. Kur qytetari nuk ka siguri se çfarë drejtësie do të marrë për të njëjtën situatë, atëherë e gjithë struktura e besimit tronditet. Po ashtu, mënyra e komunikimit tonë me publikun shpesh është e mbyllur, e ftohtë, e pakuptueshme për qytetarin”.
Kreu i Gjykatës së Lartë u shpreh shumë kritik ndaj KLGJ-së: “Këshilli i Lartë Gjyqësor, si organi përgjegjës për qeverisjen e sistemit, nuk mund të heshtë shumicën e kohës dhe të reagojë vetëm ndonjëherë, kur situata bëhet e papërmbajtshme. Kjo qasje është e pakuptueshme dhe e papranueshme. KLGJ duhet të kuptojë rolin që i ka dhënë Kushtetuta, jo për të qëndruar në hije, por për të folur me forcë e dinjitet në emër të gjithë gjyqësorit. Është organ qeverisës, jo zyrë teknike; është përfaqësues i sistemit, jo zgjatim i heshtjes institucionale. Ai duhet të dijë t’u thotë pushteteve të tjera, me zë të lartë e të qartë, në çfarë gjendje ndodhet gjyqësori, cilat janë plagët e tij, cilat janë nevojat e tij dhe cilat janë pasojat e mosveprimit. KLGJ duhet të tregojë me dinjitet pozicionin e lartë që i është dhënë nga Kushtetuta, për t’u përballur dhe jo për të vegjetuar, për t’u ndeshur dhe jo për t’u konformuar. Këshilli nuk mund të jetë një organ që përshtatet me rrethanat; ai duhet të jetë një organ që i ndryshon ato. Gjyqtarët që janë zgjedhur në këtë organ kolegjial nga Ne, gjyqtarët e Republikës, duhet ta kuptojnë rolin e tyre të pazëvendësueshëm. Ata nuk janë atje për të heshtur apo për të ruajtur ekuilibra të rremë; janë për të mbrojtur sistemin nga rrënimi dhe mosrespektimi. Nuk duhet të harrojnë se shumë shpejt, pas përfundimit të mandatit, do të kthehen në gjykatat nga të cilat kanë ardhur; dhe atëherë do ta ndjejnë vetë se sa e rëndë është pasojë e mosveprimit të tyre. Do ta kuptojnë sa shumë kanë humbur për gjyqësorin që nuk e mbrojtën siç duhet dhe sa pak kanë bërë për të ndryshuar gjendjen që sot e denoncojnë me heshtje”.
Fjala e plotë e kreut të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi:
Ka çaste në historinë e drejtësisë kur fjala humbet peshën e saj, sepse dhimbja është më e madhe se çdo fjalë. Sot është një nga ato çaste. Vrasja e kolegut tonë, gjyqtarit Astrit Kalaja, nuk është thjesht një ngjarje e rëndë kriminale. Ajo është një goditje në themel të asaj që përfaqëson drejtësia, një plagë e hapur në ndërgjegjen tonë si njerëz dhe si gjyqtarë. Është një akt që ka tronditur jo vetëm trupën gjyqësore, por edhe shtetin, sepse ndodhi aty ku ligji duhet të jetë më i fortë, në sallën e gjyqit, vendin ku drejtësia merr formë dhe ku qytetari kërkon mbrojtje. Dhe pikërisht aty, ku duhej të mbretëronte ligji, ndodhi e pamendueshmja.
Kjo është një vdekje e paralajmëruar. Prej vitesh, gjyqtarët janë bërë shënjestër e fyerjeve, kërcënimeve dhe denigrimeve. Në vend që të mbrohej pavarësia e gjyqësorit, është goditur autoriteti i tij. Në vend që të ndërtohej respekti ndaj drejtësisë, është nxitur përbuzja ndaj saj. Në vend që të ngrihej besimi te ligji, është lejuar që opinioni publik të helmohet nga gjuha e urrejtjes dhe paditurisë.
Kjo nuk është thjesht një klimë mosrespekti, por një fushatë e vazhdueshme goditjeje dhe denigrimi. Zëra të shumtë nga politika partiake e shtetërore, nga media joprofesioniste dhe nga individë që shfaqen si “juristë të shquar” pa pasur as kulturën më të thjeshtë juridike, janë bërë komentues të përditshëm të vendimeve gjyqësore, pa përgjegjësi, pa etikë dhe shpesh pa asnjë dije ligjore minimale. Ata japin gjykime si të ishin gjyqtarë, shpallin fajësinë apo pafajësinë e kujt të duan, interpretojnë Kushtetutën sipas interesit të momentit dhe shpërndajnë verdikte televizive nëpër studio që imitojnë sallat e gjyqit. Kjo nuk është liri fjale, është deformim publik i drejtësisë. Dhe kur shteti hesht, kur institucionet që duhet të mbrojnë pavarësinë e gjyqësorit heshtin, kjo heshtje bëhet bashkëfajësi morale.
Në këtë kakofoni zërash, politikanë të lartë të vendit, të pushtetit apo të opozitës, ndjejnë sot lehtësi për të fyer, anatemuar apo tallur gjyqtarin që merr një vendim, ndoshta edhe pa e lexuar arsyetimin, pa pritur ankimin dhe pa respektuar hierarkinë gjyqësore. Në vend që të respektojnë procesin ligjor, ata nguten të vendosin vetë “drejtësinë” në mikrofon e kamera, duke gjykuar magjistratin si të ishte palë politike.
Kjo gjuhë përbuzjeje nuk ndalet këtu. Ajo vazhdon të përhapet në rrjetet sociale, ku deformohet çdo vendim dhe ku shpërthejnë pa asnjë përgjegjësi fyerjet, shpifjet dhe urrejtja ndaj gjyqtarëve. Kështu, gjuha e politizuar është shndërruar në kulturë virtuale linçimi, që ushqen armiqësi ndaj magjistratit dhe helmon perceptimin e publikut për drejtësinë.
Kjo është e papranueshme. Kjo është e pafalshme, sepse nga kjo gjuhë e urrejtjes dhe kjo klimë helmimi, është ushqyer mosbesimi, është nxitur frika dhe në fund është goditur vetë shteti i së drejtës.
Ngjarja tragjike që na ka mbledhur sot është pikërisht pasoja më ekstreme e kësaj atmosfere të helmuar, një ngjarje që duhej parandaluar, sepse ishte paralajmëruar në çdo fyerje, në çdo deklaratë të papërgjegjshme, në çdo sulm publik ndaj një gjyqtari që bën vetëm detyrën e tij.
Por përpara se të drejtojmë gishtin nga të tjerët, ne duhet të fillojmë nga vetja. Duhet ta pranojmë me ndershmëri se drejtësia shqiptare nuk është ende në lartësinë që shoqëria pret prej saj. Duhet ta themi hapur: vonesat në gjykimin e çështjeve, zvarritjet e panevojshme procedurale dhe mosrespektimi i afateve ligjore për arsyetimin e vendimeve janë plagë të dukshme që dëmtojnë besimin e publikut. Ka raste ku proceset zvarriten për vite të tëra, pa një arsye të justifikuar, duke e kthyer pritjen e qytetarit për drejtësi në një dënim më vete. Ka vendime që mbeten të paarsyetuara në kohë, dhe të tjera që ndryshojnë nga një gjykatë në tjetrën, duke krijuar pasiguri dhe perceptim për mungesë koherence e drejtësie. Një gjyqësor që nuk është i parashikueshëm në jurisprudencën e tij, humbet forcën e ligjit dhe respektin e publikut. Kur qytetari nuk ka siguri se çfarë drejtësie do të marrë për të njëjtën situatë, atëherë e gjithë struktura e besimit tronditet. Po ashtu, mënyra e komunikimit tonë me publikun shpesh është e mbyllur, e ftohtë, e pakuptueshme për qytetarin.
Shpesh harrojmë se çdo vendim gjyqësor nuk është thjesht një dokument juridik, por një mesazh për shoqërinë mbi forcën dhe seriozitetin e shtetit të së drejtës. Prandaj, përpara se të kërkojmë respekt, duhet të japim shembull. Duhet të kthejmë në standard profesional të përditshëm atë që sot e konsiderojmë virtyt të rrallë: gjykimin në kohë, vendimin e arsyetuar dhe qëndrueshmërinë në jurisprudencë. Ka vend për përmirësim, për reflektim, për përgjegjësi. Vetëm një gjyqësor që pranon dobësitë e veta dhe punon për t’u forcuar nga brenda, ka të drejtën morale të kërkojë llogari nga të tjerët. Vetëm në këtë mënyrë drejtësia do të fitojë besimin e humbur dhe autoritetin moral që i takon.
Megjithatë, vetëkritika nuk mund të na verbojë përballë realitetit brutal në të cilin jemi lënë të punojmë. Ne e dimë mjaft mirë dallimin mes një opinioni kritik, që është i pranueshëm në një shoqëri demokratike dhe fyerjes apo akuzës personale që synon të delegjitimojë figurën e gjyqtarit. Ai nuk është i pakritikueshëm, por askush nuk ka të drejtë ta bëjë objekt të përbuzjes publike. Në çdo darkë televizive, në çdo panel ku përflitet drejtësia, zhvillohet një gjyq paralel ndaj gjyqtarëve e prokurorëve të këtij vendi. Këta njerëz, pa përgjegjësi, pa etikë, pa dije juridike, e kanë kthyer fyerjen e gjyqtarëve në argëtim të përnatshëm, në spektakël të turmës. Ata janë bërë zëdhënës të emocioneve të momentit, jo të ligjit, dhe kanë helmuar opinionin publik duke rrënuar besimin e qytetarëve te drejtësia.
Përtej gjithë kësaj, ekziston edhe një tjetër pabarazi, po aq e dhimbshme. Gjyqtari nuk flet. Ai nuk replikon, nuk flet për veten dhe për vendimet e tij, nuk i përgjigjet akuzave dhe fyerjeve, sepse e kërkon vetë roli i tij, sepse heshtja është pjesë e dinjitetit të funksionit gjyqësor. Por ndërkohë që gjyqtari hesht, politika flet çdo natë, në çdo sallë, në çdo ekran, pa asnjë kufizim, me tone akuzuese, me gjuhë denigruese, me etiketime dhe verdikte. Ndërsa ne mbajmë peshën e përgjegjësisë, ata mbajnë privilegjin e fjalës. Kjo krijon një pabarazi morale, që në sytë e publikut e bën magjistratin më të dobët, më të pambrojtur, më të ekspozuar ndaj sulmit.
Ne nuk mund të lejojmë që kjo pabarazi të kthehet në normalitet. Ne nuk mund të heshtim përjetësisht përballë fyerjeve që bëhen ndaj sistemit, sepse heshtja institucionale, kur sulmohet drejtësia, nuk është më virtyt, është dorëzim. Mënyra si reagojmë duhet të jetë institucionale, e unifikuar dhe parimore, jo sporadike e rastësore. Nuk mund të ketë reagime të rastit, sipas presionit apo emocioneve të ditës. Gjyqësori ka nevojë për një zë institucional që të reagojë me dinjitet, maturi dhe forcë, sa herë që cenohen gjyqtarët dhe autoriteti i drejtësisë, sepse kur heshtet përballë padrejtësisë, humbet besimi. Dhe kur humbet besimi, rrënohet vetë drejtësia.
Këshilli i Lartë Gjyqësor, si organi përgjegjës për qeverisjen e sistemit, nuk mund të heshtë shumicën e kohës dhe të reagojë vetëm ndonjëherë, kur situata bëhet e papërmbajtshme. Kjo qasje është e pakuptueshme dhe e papranueshme. KLGJ duhet të kuptojë rolin që i ka dhënë Kushtetuta, jo për të qëndruar në hije, por për të folur me forcë e dinjitet në emër të gjithë gjyqësorit. Është organ qeverisës, jo zyrë teknike; është përfaqësues i sistemit, jo zgjatim i heshtjes institucionale. Ai duhet të dijë t’u thotë pushteteve të tjera, me zë të lartë e të qartë, në çfarë gjendje ndodhet gjyqësori, cilat janë plagët e tij, cilat janë nevojat e tij dhe cilat janë pasojat e mosveprimit. KLGJ duhet të tregojë me dinjitet pozicionin e lartë që i është dhënë nga Kushtetuta, për t’u përballur dhe jo për të vegjetuar, për t’u ndeshur dhe jo për t’u konformuar. Këshilli nuk mund të jetë një organ që përshtatet me rrethanat; ai duhet të jetë një organ që i ndryshon ato. Gjyqtarët që janë zgjedhur në këtë organ kolegjial nga Ne, gjyqtarët e Republikës, duhet ta kuptojnë rolin e tyre të pazëvendësueshëm. Ata nuk janë atje për të heshtur apo për të ruajtur ekuilibra të rremë; janë për të mbrojtur sistemin nga rrënimi dhe mosrespektimi. Nuk duhet të harrojnë se shumë shpejt, pas përfundimit të mandatit, do të kthehen në gjykatat nga të cilat kanë ardhur; dhe atëherë do ta ndjejnë vetë se sa e rëndë është pasojë e mosveprimit të tyre. Do ta kuptojnë sa shumë kanë humbur për gjyqësorin që nuk e mbrojtën siç duhet dhe sa pak kanë bërë për të ndryshuar gjendjen që sot e denoncojnë me heshtje.
Nuk mund të ketë shtet të së drejtës kur gjyqtari punon pa siguri. Nuk mund të ketë drejtësi të pavarur kur godina e gjykatës është në gjendje të mjerueshme. Nuk mund të ketë respekt për drejtësinë kur gjyqtari dhe qytetari hyjnë në të njëjtën derë, presin në të njëjtin korridor dhe zhvillojnë gjyqin në një zyrë pa audio e pa video, në kushte që nuk garantojnë as siguri, as solemnitet, as dinjitet institucional. Këto janë realitetet e dhimbshme të shumë gjykatave në vend. Shihni gjykatat e kryeqytetit, ku me një ngarkesë marramendëse, zhvillohen procese në zyra të ngushta dhe pa masa sigurie. Në rrethe të tjera, godinat janë të amortizuara dhe pa asnjë standard minimal sigurie. Në këto kushte, gjyqtari nuk është i mbrojtur. Dhe një gjyqtar i pambrojtur është një drejtësi e pambrojtur.
Shteti nuk mund të vazhdojë të mbyllë sytë. Këshilli i Lartë Gjyqësor ka detyrimin ligjor të garantojë kushtet e ushtrimit të funksionit gjyqësor, por prej kohësh ky detyrim është lënë pas dore. KLGJ ka ngurruar të marrë vendime të forta për sigurinë dhe mbrojtjen e gjyqtarëve, për modernizimin e godinave të gjykatave dhe për plotësimin e burimeve njerëzore dhe infrastrukturore. Ka vonesa të pajustifikueshme në emërime, në ngritje në detyrë, në ndarjen e ngarkesave të punës. Ka mungesë koordinimi me organet e tjera kushtetuese dhe ligjore. Askush nuk flet për sigurinë, për kushtet e punës, për dinjitetin e gjyqtarit.
Edhe pushteti ekzekutiv dhe ai legjislativ kanë përgjegjësinë e tyre. Nuk mund të ketë drejtësi moderne pa investim shtetëror. Nuk mund të kërkosh rezultate nga një sistem që punon me burime njerëzore të pamjaftueshme, me fonde të pakta dhe me infrastrukturë të shekullit të kaluar. Drejtësia nuk mund të funksionojë mbi bazën e propagandës. Ajo ka nevojë për garanci konkrete, për buxhet, për siguri dhe për respekt. Në këtë moment të errët, nuk mund të rrimë në heshtje. Duhet të ngremë zërin jo për ne, por për drejtësinë. Sepse një shtet që nuk mbron gjyqtarin, nuk mbron as qytetarin. Një shtet që lejon gjyqtarin të kërcënohet, lejon padrejtësinë të mbretërojë.
Kjo ngjarje tragjike nuk duhet të na përkulë. Ajo duhet të na bashkojë. Të na bëjë më të vetëdijshëm, më të fortë dhe më të vendosur për të mbrojtur jo vetëm veten, por gjithë sistemin që përfaqësojmë. Ne nuk kërkojmë privilegje. Ne kërkojmë siguri, respekt dhe dinjitet në ushtrimin e detyrës sonë. Kërkojmë që gjyqtari të mos ndihet i braktisur, i përbuzur apo i kërcënuar. Sepse një drejtësi e frikësuar është një drejtësi e paralizuar.
Ky është momenti për të vepruar. Të mos mjaftohemi më me fjalë, por të ndërmarrim hapa të dukshëm dhe të matshëm. Të krijojmë një Platformë Kombëtare për Sigurinë Gjyqësore, ku të përfshihen të gjitha institucionet shtetërore që kanë përgjegjësi për mbrojtjen e gjyqtarëve.
Për këtë qëllim, të ngrihet një Grup Pune Ndërinstitucional, me pjesëmarrjen e gjyqtarëve, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit dhe organeve të sigurisë, që do të hartojë dhe zbatojë këtë platformë.
Ajo duhet të përfshijë masa parandaluese, protokolle emergjente dhe standarde të detyrueshme sigurie për çdo gjykatë, si dhe një mekanizëm të përhershëm bashkërendimi institucional për monitorimin dhe raportimin publik të rezultateve. Të kërkojmë nga organet përkatëse miratimin dhe zbatimin e menjëhershëm të masave konkrete për garantimin e sigurisë fizike të gjyqtarëve dhe kushteve të ushtrimit të funksionit gjyqësor. Të hartojmë Deklaratën e Solidaritetit të Gjyqtarëve të Republikës, që të shprehë publikisht unitetin tonë moral dhe profesional. Të vendosim një standard të ri të reagimit institucional, që asnjë akt dhune, kërcënimi apo fyerjeje ndaj gjyqtarëve të mos kalojë më pa reagim të përbashkët dhe të qartë nga gjyqësori. Këto nuk janë thjesht qëllime, janë angazhime konkrete për mbrojtjen e pavarësisë dhe dinjitetit të drejtësisë shqiptare.
Sot, në këtë sallë, drejtësia shqiptare nuk qan, ajo reflekton, ajo ngrihet. Ne flasim në emër të të gjithë gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë dhe nuk jemi këtu për t’u ankuar, por për të dëshmuar se drejtësia ka zemër që rreh dhe zë që flet me dinjitet. Gjyqtari shqiptar nuk kërkon mëshirë, ai kërkon respekt. Nuk kërkon privilegj, por kushtet për të mbrojtur ligjin. Nuk kërkon as duartrokitje, por sigurinë që i takon një njeriu që mbron të tjerët. Ne nuk do të dorëzohen përballë frikës. Nuk do të heshtim përballë padrejtësisë. Ne do të qëndrojmë, me dinjitet, me kurajë, me besim.
Le të jetë kjo mbledhje kthesa morale e gjyqësorit shqiptar. Le të jetë ky momenti kur heshtja kthehet në zë, kur frika kthehet në forcë, dhe kur dhimbja kthehet në angazhim për një drejtësi më të sigurt, më të drejtë, më njerëzore.
Në nder të kolegut tonë dhe në emër të çdo gjyqtari të Republikës, ne bëjmë sot një zotim solemn: të mos përkulemi, të mos dorëzohemi dhe të mos harrojmë kurrë se drejtësia është forca që mban gjallë shtetin, dinjitetin dhe shpresën e këtij vendi.
Dhe në emër të tyre, si Kryetar i Gjykatës së Lartë, dua të them qartë dhe pa ekuivok: Asnjë akt dhune nuk do ta përkulë drejtësinë. Asnjë kërcënim nuk do ta ndalë gjyqtarin të kryejë me ndershmëri detyrën. Asnjë presion politik apo publik nuk do të cenojë pavarësinë e gjykimit.
Ky është angazhimi ynë moral dhe profesional. Ky është misioni ynë përpara qytetarëve dhe përpara historisë.
Ju faleminderit! (A2 Televizion)