Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja ka sjellë pasoja të ndjeshme në funksionimin e sistemit gjyqësor, duke shkaktuar pezullimin e 367 seancave gjyqësore në Gjykatën e Durrësit, që nga data 7 tetor e deri më 10 tetor (ditë e premte).
Në këtë periudhë, nuk janë zhvilluar dhe nuk do të zhvillohen seanca gjyqësore civile dhe penale, me përjashtim të atyre me karakter urgjent, që do të vijojnë sipas planifikimit të përcaktuar, shkruan A2.
Ngjarja e rëndë ka tronditur trupën gjyqësore, prokurorët dhe avokatët në mbarë vendin, ndërsa sot, për shkak të mbledhjes së gjyqtarëve, Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës njoftoi se gjykimet e planifikuara nuk do të zhvillohen. (A2 Televizion)