Nën masa të rrepta sigurie dhe brenda një perimetri të gjerë të kontrolluar, ekspertë të fushës kanë arritur në Porto Romano të Durrësit ditën e sotme për të marrë mostrat e mbetjeve të dyshuara si toksike, të cilat kanë qëndruar për më shumë se një vit në këtë zonë industriale.
Procesi i marrjes së kampioneve nga rreth 2100 ton mbetje po kryhet me kujdes maksimal, pasi për shkak të qëndrimit të gjatë, mbetjet mund të jenë ngurtësuar, gjë që e bën marrjen e mostrave më të ndërlikuar.
Mostrat do të dërgohen për analiza të hollësishme në një laborator të specializuar në Itali, për të përcaktuar përbërjen kimike dhe nivelin e mundshëm të toksicitetit, shkruan A2.
Hetimet po drejtohen nga Prokuroria e Durrësit, e cila ka kërkuar transparencë të plotë për këtë proces dhe për çdo të dhënë që lidhet me përmbajtjen e kontejnerëve.
Rasti është denoncuar fillimisht nga rrjeti Bazel, që ngriti dyshime se brenda kontejnerëve mund të ndodhen mbetje të rrezikshme të ardhura nga jashtë vendit. Kontejnerët u kthyen në Portin e Durrësit dhe pas rreth dhjetë ditësh qëndrimi në radë, u zhvendosën në zonën e Porto Romanos, ku ndodhen nën mbikëqyrje të rreptë policore dhe monitorim 24-orësh me kamera sigurie. (A2 Televizion)