Certifikohen 112 oficerë të rinj sigurie për shkollat

Nga A2 CNN
9 Tetor 2025, 13:57 | Aktualitet

Certifikohen 112 oficerë të rinj sigurie për shkollat

112 oficerë të rinj sigurie përfunduan me sukses trajnimin pranë Akademisë së Sigurisë dhe janë gati të nisin detyrën në shkollat e vendit. Në ceremoninë e certifikimit, Ministrja e Brendshme Albana Koçiu dhe Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro theksuan rëndësinë e këtij roli në garantimin e një mjedisi të sigurt dhe mbështetës për nxënësit.

Koçiu nënvizoi se oficerët e sigurisë janë hallka kyçe në bashkëpunimin mes institucioneve arsimore, policisë, shërbimeve sociale dhe komunitetit të prindërve. Ajo theksoi se detyra e tyre nuk kufizohet vetëm në siguri fizike, por përfshin edhe identifikimin dhe adresimin e nevojave të fëmijëve në bashkëpunim me psikologët dhe mësuesit.

Ndërkohë, Kumbaro deklaroi se oficeri i sigurisë është më shumë se një figurë mbrojtëse. “Ai është gjithashtu edukator, psikolog dhe mbështetës në procesin arsimor”, theksoi ministrja e Arsimit. Ajo bëri me dije se oficerët do të sistemohen në shkolla nga Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar, në përputhje me vendbanimin dhe nevojat lokale.

Në kuadër të paketës së sigurisë në shkolla, janë angazhuar mbi 2000 efektivë policie për të garantuar sigurinë në perimetrin e jashtëm të shkollave. Aktualisht, një oficer sigurie mbulon deri në 350 nxënës, ndërsa për shkollat me më shumë nxënës, do të caktohen dy oficerë.

Dy ministritë shprehën angazhimin për të forcuar më tej profilin e oficerëve të sigurisë, përmes mbështetjes institucionale, karrierës së qëndrueshme dhe stimujve financiarë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos