Gazetari dhe analisti Lutfi Dervishi ka ngritur alarmin për gjendjen e rënduar të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, pas ngjarjes tragjike të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit.
I ftuar në emisionin “Off the Record në A2 CNN”, Dervishi theksoi se sistemi i drejtësisë funksionon vetëm në 2/3 e kapacitetit të tij, ndërsa shumica e gjykatave nuk kanë ende një kryetar të zgjedhur.
“Sot, në Gjykatën e Apelit janë 45 mijë dosje të mbartura, për shkak edhe të hartës së re gjyqësore. Kjo situatë është e njohur, por mungon reagimi dhe një plan emergjent për ta zgjidhur. Një drejtësi e vonuar është drejtësi e mohuar”, deklaroi Dervishi.
Sipas tij, tragjedia që ndodhi në Apel duhet të ishte një moment reflektimi për politikën dhe institucionet, por “duket sikur ngjarja po kalohet në heshtje, pa nxjerrë mësime”.
“Aty mund të ishte çdo gjyqtar. Kjo nuk është vetëm një vrasje fizike, por edhe një vrasje e shpresës për drejtësi. Urrejtja ndaj sistemit është pasojë e mungesës së besimit dhe efikasitetit”, tha Dervishi, duke shtuar se kaos në gjyqësor dhe mungesa e strukturave të plota po e paralizojnë sistemin.
Ai përfundoi se pas disa ditësh kontrolli të rreptë, “rreziku është që gjithçka të harrohet, pa asnjë ndryshim real në funksionimin e drejtësisë”. (A2 Televizion)