Një qytetar nga Bulqiza, i identifikuar si Sherif Duriçi, i cili prej 10 vitesh endet dyerve të gjykatave për një çështje pronësie, në kushtet kur nuk ka marrë zgjidhje, ka dalë të protestoj këtë të premte para dyerve të SPAK.
Duriçi tregon për mediat se saga e tij gjyqësore është për një vendim të formës së prerë, mbi pronësinë e një dyqani që ndodhet në Bulqizë.
“Protestoj një vendim i formës së prerë, u bënë 10 vjet që më rri në Gjykatën e Apelit dhe më është pezulluar. Për këtë arsye protestoj. Kërkoj të më jepet drejtësi për ata që më takon. Është për një dyqan që ndodhet në Bulqizë. Është në Apel, u bëmë 10 vite që rri atje. Është urdhër ekzekutiv dhe vendim i formës së prerë që nuk ka të drejtë të gjykohet por është gjykuar. Unë kërkoj të drejtën që më takon, por këta gjyqtarë nuk gjykojnë drejt. Këtu na thonë se do të gjykojmë gjyqtarët por nuk po shohim asgjë, prandaj kam dal këtu të kërkoj të drejtën time”, tha Sherif Duriçi për mediat.
Në procesverbalet e gjykatës që ai posedon bie në sy se anëtar i trupit gjykues për çështjen e tij në Apel, është edhe gjykatësi i ndjerë Astrit Kalaja, i cili u ekzekutua nga Erion Shkambi në sallën e gjyqit pasi komunikoi vendimin për një çështje pronësie për një pallat në Shkodër. (A2 Televizion)