Është “tetori rozë” muaji i ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit. Fushata për kontrolle dhe diagnostikimin e hershëm të kësaj sëmundjeje ka shtuar radhët në qendrat shëndetësore.
Mamografitë nuk kanë të ndalur, e as radhët e grave të cilat presin plot ankth për ekzaminim.
Vetëm javën e parë të “tetorit roze” në poliklinikën qendrore në Tiranë janë zbuluar tri raste me kancer të gjirit.
Kanë qenë gra rreth të 40-ve të cilat sipas radiologëve kanë pritur tetorin për të kryer këtë vizitë. Mjekët ju bëjnë thirrje grave dhe vajzave që vizitat, ekot dhe mamografitë mund t`i kryejnë falas në çdo ditë dhe muaj të vitit.
Përqendrimi vetëm në një muaj, shton ngarkesën në qendrat shëndetësore.
Kanceri i gjirit është sëmundja tumorale më e shpeshtë tek gratë dhe me vdekshmërinë më të lartë. Sipas shifrave zyrtare, vetëm vitin e fundit janë diagnostikuar më këtë sëmundje 805 gra ose thënë ndryshe më shumë se dy raste çdo ditë.
Mjekët bëjnë thirrje për kontrolle periodike, në qendra shëndetësore e pranë spitaleve, për zbulimin e hershëm të kësaj sëmundje. (A2 Televizion)