Magjistratët mbledhje urgjente, kritika KLGJ e qeverisë: Duam forcë sigurie dhe godina të reja

Nga A2 CNN
9 Tetor 2025, 19:14 | Aktualitet

Të paktën 260 gjyqtarë të Republikës së Shqipërisë zhvilluan një mbledhje urgjente këtë të enjte në ambientet e Polit të Drejtësisë, pas vrasjes së kolegut të tyre Astrit Kalaja në krye të detyrës, më 6 tetor.

Në përfundim të mbledhjes që zgjati rreh 5 orë, Albana Boksi anëtarë e Gjykatës së Lartë lexoi deklaratën e përbashkët në emër të gjithë gjyqtarëve të vendit. Gjyqtarët kërkuan krijimin e një force të posaçme sigurie në gjykatat e vendit.

Ndër të tjera, gjyqtarët kërkuan krijimin e një Grupi Ndërinstitucional me përfaqësim nga KLGJ, KLP, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, Polica e Shtetit dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese për organizimin e një Forumi Kombëtar për Sigurinë Gjyqësore.

Kreu i Gjykatës së Lartë foli me kritika për KLGJ, por edhe për pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ që sipas tij e kanë braktisur drejtësinë.

“Është një mesazh për Këshillin e Lartë Gjyqësor që të marrë rolin që i jep Kushtetuta, për ekzekutivin dhe legjislativin që të kuptojnë se drejtësia nuk mund të funksionojë në kushte të braktisjes. Drejtësia nuk mund të kërkohet me fjalë, ajo duhet mbrojtur me vepra”

Gjyqtarët kërkuan që i ndjeri Astrit Kalaja të shpallet “Dëshmor i Atdheut”.

Gjithashtu, gjyqtarët kanë kërkuar që të hartohet një strategji kombëtare për ndërtimin e godinave të gjykatave në të gjithë vendin, ku të jenë të vendosura skaner dhe detektor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos