Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka intensifikuar punën për të monitoruar dhe analizuar funksionimin e sistemit gjyqësor dhe prokurorial në vend. Gjatë vitit 2024, janë finalizuar 6 inspektime tematike me 54 rekomandime, ndërkohë që numri total i inspektimeve të kryera që nga krijimi i institucionit ka arritur në 21 inspektime, 12 prej të cilave janë përfunduar dhe të publikuara në faqen zyrtare të ILD-së, me 118 rekomandime në total.
Këto inspektime të ILD-së kanë pasur në fokus aspekte të ndryshme të funksionimit të gjykatave dhe prokurorive, përfshirë trajtimin e kërkesave për "lirimin me kusht" nga 15 gjykata të shkallës së parë dhe 5 ish-gjykata të Apelit, masat e sigurimit personal për veprën penale të armëmbajtjes pa leje në prokuroritë e Fierit, Shkodrës dhe Vlorës si dhe zbatimin e udhëzimit të përgjithshëm nr. 12 të Prokurorit të Përgjithshëm në disa prokurori.
Po ashtu fokusi ka qenë në kontrollin e ndarjes së çështjeve me short dhe funksionimin e sistemit elektronik në gjykata, praktikat e zëvendësimit të prokurorëve dhe caktimit të çështjeve, përfshirë dhe në SPAK dhe procedurat e shpalljes dhe arsyetimit të vendimeve, veçanërisht në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë.
ILD ka vepruar mbi bazën e planit vjetor të inspektimeve dhe kërkesave të institucioneve si KLGJ, KLP, Ministria e Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm. Gjetjet e raporteve shërbejnë si bazë për rekomandime ligjore, veprime administrative dhe hetime të mundshme disiplinore.
Inspektimet tematike për temat si ndarja e çështjeve me short, procedura e arsyetimit të vendimeve apo zëvendësimi i prokurorëve do të vijojnë të përsëriten edhe në vitet e ardhshme, me qëllim një skenim sa më të plotë të gjendjes në sistemin e drejtësisë.
Ky kontroll i thelluar tregon angazhimin e ILD-së për një sistem drejtësie më transparent, të paanshëm dhe të përgjegjshëm, ku askush, përfshirë edhe strukturat e posaçme si SPAK, nuk është përjashtuar nga vëmendja institucionale. (A2 Televizion)