24 vatra zjarri përgjatë në 24 orëve të fundit, Ministria e Mbrojtjes: U shuan të gjitha

Nga A2 CNN
1 Korrik 2025, 13:34 | Aktualitet

24 vatra zjarri përgjatë në 24 orëve të fundit,

Ministria e Mbrojtjes raportoi se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 24 vatra zjarri, të cilat janë shuar të gjitha, shkruan A2 CNN.

“Këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë e Vlorës, Vaut të Dejës, Malësisë së Madhe, Rrogozhinës, Durrësit, Fierit, Kuçovës, Lezhës, Kurbinit dhe Hasit.  Kryesisht zjarret kanë rënë në sipërfaqe me bimësi, ku si pajojë janë djegur rreth 9 hektarë sipërfaqe me shkurre e barishte si dhe 200 rrënjë ullinj në vatrën e evidentuar në fshatin Frakull, në bashkinë Fier”, tha ministria.

“Në dy raste zjarret janë evidentuar në  dy banesa, njëra në fshatin Zagorë, bashkia Malësi e Madhe dhe tjetra në një shtëpi të pabanuar në vendin e quajtur "Mali i Kolajt", Velipojë. si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Në të gjitha operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 32 automjete zjarrfikëse dhe 223 forca operacionale”.

Për ditën e sotme, nga parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave pritet nivel rrezik “I LARTË” në qarqet; Lezhë, Durrës, Tiranë, Berat dhe Fier, ndërsa në qarqet e tjerë pritet nivel rrezik “I MODERUAR”.

“I gjithë sistemi i mbrojtjes civile është në ndjekje të situatës dhe në gatishmëri për të ofruar mbështetje të menjëhershme nëse do të jetë e nevojshme. Ftojmë qytetarët që, në këto ditë me temperatura të larta dhe rrezik të shtuar për zjarre, të tregojnë kujdes maksimal dhe përgjegjshmëri. Të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, si ndezja e zjarreve në ambiente të hapura, djegia e mbetjeve apo hedhja e objekteve të ndezshme në natyrë. Çdo rast zjarri duhet të njoftohet menjëherë pranë strukturave vendore. Bashkëpunimi i qytetarëve është vendimtar për mbrojtjen e jetës, pronës dhe natyrës”, tha ministria. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos