Ministria e Arsimit dhe Sportit, për të dytin vit radhazi, ka nisur fushatën informuese “Studio në Shqipëri”. Kjo nismë, në bashkëpunim me universitetet publike në vend, synon të ofrojë informim të plotë për maturantët mbi programet e reja të studimit, partneritetet ndërkombëtare të universiteteve shqiptare, programet me diploma të dyfishta dhe ato në gjuhë të huaj. Fushata vë theksin gjithashtu në promovimin e degëve të mësuesisë dhe programeve që kërkohen në tregun e punës.
Fushata do të zhvillohet në EduLab, në një bisedë të hapur me studentë që kanë zgjedhur tashmë të studiojnë në Shqipëri, si dhe me drejtues të universiteteve.
Duke vënë në fokus një nga reformat më të rëndësishme që po zbatohet aktualisht, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, në një bashkëbisedim me Rektorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, Dr. Fatbardh Sallaku, dhe dy studentë të këtij universiteti, theksoi rëndësinë e fushatës dhe transformimeve që po ndodhin në arsimin e lartë:
“Sot në EduLab, në një takim ndryshe dhe në një moment të rëndësishëm për maturantët që do të zgjedhin të studiojnë në Shqipëri. Kanë një ofertë të larmishme në universitetet tona. Ministria e Arsimit, gjatë këtij viti, me kërkesën e arsimit të lartë dhe duke u bazuar në nevojat e tregut të punës dhe në drejtimet strategjike të vendit tonë, ka vijuar të pasurojë me programe të reja ofertën akademike,” u shpreh Manastirliu.
Duke u ndalur në një nga reformat që po zbatohet aktualisht në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Ministrja Manastirliu foli për bashkëpunimin konkret të këtij universiteti me Universitetin BOKU të Vjenës:
“Një nga reformat transformuese që po ndodh në arsimin e lartë është ajo që po ndodh sot në Universitetin Bujqësor të Tiranës me Universitetin BOKU të Vjenës, dy universitete që janë duke punuar tashmë përmes një ekspertize dhe një mbështetjeje strategjike për të riorganizuar fakultetet dhe programet e studimit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, duke i njësuar këto programe me ato të BOKU të Vjenës.”
Gjithashtu, Ministrja Manastirliu bëri me dije se do të vijojë reforma në drejtim të ndarjes së programeve të studimit në sistemin major dhe minor, në përputhje me standardet europiane, që u mundëson studentëve profilizim të hershëm dhe fleksibilitet në formimin e tyre akademik:
“Ne do ta thellojmë reformën në arsimin e lartë në ato degë apo sisteme të cilat sot bota dhe Europa i ka përfshirë në programet e studimit që quhen major dhe minor, ku pavarësisht faktit që ti zgjedh një degë studimi, mund të profilizohesh që në ciklin e parë të studimit në ato profile apo specialitete që të bëjnë të përfitosh kreditet e duhura në një drejtim, por nga ana tjetër të mos lësh mënjanë dijet apo njohuritë për degën që ke zgjedhur”, tha Ministrja Manastirliu.
Nga ana e tij, Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Dr. Fatbardh Sallaku, bëri të ditur se institucioni që ai drejton sapo ka përmbyllur një reformë të plotë akademike, duke kaluar nga 31 programe studimi në ciklin “bachelor” në vetëm 9 programe të reja, të standardizuara dhe të harmonizuara me sistemin europian të arsimit të lartë.
Fushata “Studio në Shqipëri” do të vijojë në ditët në vijim me diskutime informuese dhe promovuese, për të mbështetur maturantët në marrjen e një vendimi të informuar për të ardhmen e tyre akademike. (A2 Televizion)