
Pas 48 orësh normalizohet situata në fshatin Progër të bashkisë së Devollit. Fshati për dy ditë ka qenë nën pushtetin e ujërave, aq sa banorët e kanë patur të pamundur të lëvizin pasi uji depërtoi deri në banesat e tyre.
Për normalizimin e situatës janë angazhuar punonjës të ndërmarrjes së shërbimeve të bashkisë Devoll, emergjencave civile, forca të ushtrisë dhe shërbimi zjarrfikës.
Ditën e sotme banorët me forcat e veta kanë larguar inertet nga oborret e banesave si dhe kanë pastruar rrugicat e fshatit.
Sipas specialistëve, përmbytja e fshatit Progër ka ardhur nga ujërat e burimeve të malit të Thatë poshtë të cilit shtrihet ky fshat. Një gjë e tillë ndodh për herë të parë në 40 vitet e fundit në këtë fshat. (A2 Televizion)
