"6 autobusa nga Prishtina, shqiptarë nga mbarë bota", Rama zbulon sa pjesëmarrës do ketë për UÇK në Tiranë

Nga A2 CNN
16 Tetor 2025, 22:08 | Aktualitet

Kryekomunari i Prishtinës, Përparim Rama zbuloi në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN, detaje nga organizimi për protestën e nesërme pro-UÇK që do të zhvillohet në sheshin “Skënderbej”, në Tiranë.

Ai tha se komuna i ka ardhur në ndihmë OVL/ UÇK-së duke i vënë në dispozicion gjashtë autobusë pa pagesë, që do të nisen nga kryeqyteti i Kosovës.

Ne kemi pasur takime dhe biseda me organizatën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kemi pasur kërkesë që t'ju ndihmojmë me transportin. Gjashtë autobus prej Prishtinës do të nisen për në Tiranë. Edhe kjo ka qenë kërkesa, këtë e kemi plotësuar. Normal çfarëdo tjetër që ka nevojë. Ne jemi në përkrahje të veteranëve, në përkrahje të vlerave të UÇK dhe ju falënderojmë shumë edhe Tiranës që kanë mundësuar që kjo protestë gjithëkombëtare të ndodhë tash edhe në Tiranë”, tha ai në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN.

Më tej Rama shtoi se në shesh do të jenë të pranishëm shqiptarë nga mbarë bota, që do të shprehin mbështetjen për liderët e UÇK që po gjykohen në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Është një organizim madhështor. Faktikisht kemi të gjithë shqiptarët nga pjesë të ndryshme këtu të regjionit, e kemi edhe të tjerë që vijnë edhe kemi informata që po vijnë edhe nga pjesë të tjera të botës t'i bashkëngjiten kësaj proteste. Kështu që nuk kam asnjë dyshim që do të jetë madhështore. Gjërat kombëtare nuk duhet të përdoren si monedha politike edhe nuk besoj që kjo po ndodh. Po them kjo është një protestë e organizuar nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Data është e caktuar prej tyre dhe ne si institucion jemi në përkrahje, po them çfarëdo që kanë nevojë që ta përkrahim, që drejtësinë ta çojmë në vend dhe t'i mbrojmë me çdo kusht vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, deklaroi kryekomunari i Prishtinës në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos