"Albin Kurti populist, s'ia hap rrugën Ramës", Robelli: Përdorin bashkimin kombëtar për vota

Nga A2 CNN
16 Tetor 2025, 21:17 | Aktualitet

Gazetari Enver Robelli ka analizuar në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN përplasjen në distancë mes dy kryeministrave, Edi Rama dhe Albin Kurti, e cila e pati zanafillën te protesta pro UÇK-së, që do të zhvillohet nesër në Tiranë.

Sipas Robellit UÇK-ja dhe drejtësia në Hagë po përdoret për kapital politik nga të dy palët. Ai tha se brenda 10 viteve Edi Rama ka ndryshuar disa herë qëndrim për Vetëvendosjen, duke e përkrahur fillimisht, duke e sulmuar më pas, e madje duke shfrytëzuar edhe çështjen e bashkimit kombëtar për vota.

“Po ndoshta përdoret. Po them në përgjithësi që njerëzit kanë të drejtë të demonstrojnë, të protestojnë ndaj diçkaje që ata e ndiejnë të padrejtë. Domethënë ne jetojmë në një shtet demokratik si në Kosovë, si në Shqipëri, ku është e garantuar e drejta e tubimit e shprehjes së pakënaqësisë. Ata kanë të drejtë të shprehin mospajtimin e tyre. E kanë shprehur në Hagë, domethënë në një shtet, në kryeqytetin e një vendi që është anëtar i BE-së, mund ta shprehin edhe në Tiranë. Unë mendoj që ishte i panevojshëm reagimi i Lëvizjes Vetëvendosjes ndaj kryeministrit Edi Rama. Është totalisht i panevojshëm. Është konflikti i hershëm mes tyre, por unë po them që duhet injoruar çdo politikan që Kosovën e përdor sipas interesave të politikës ditore për parada populiste. Për shembull te zoti Rama ne kemi brenda 10 viteve ato akrobacionet politike të cilat janë absurde. Në vitin 2015 vjen në Prishtinë dhe e konsideronte pasuri kombëtare Vetëvendosjen zoti Rama dikur. Domethënë në 2015 vjen shpalos fjalorin e Ismail Qemalit, mban një fjalim patriotik ku bojkotohet nga udhëheqësit politik të Kosovës të asaj kohe domethënë nga kryeministri Isa Mustafa, nga zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga sepse asokohe përkrahte Lëvizjen Vetëvendosje dhe është e drejtë legjitime, le ta përkrahi. Nuk është asnjë problem. Në 2018 vjen në Kosovë dhe mban fjalim në parlament ku thotë do të kemi një president të përbashkët dhe shfaqet Lidhja Demokratike e Kosovës dhe thotë kjo është një sjellje e pahijshme ndaj Kosovës në 10 vjetorin e pavarësisë. Pastaj në vitin 2025 para 10 ditësh, dy javësh del edhe thotë kjo çështja e bashkimit kombëtar është përrallë”, tha Robelli në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.

Sa i përket Albin Kurtit, gazetari tha se ai madje ia kalon Edi Ramës për populizëm dhe mënyrën si i përdor çështjet kombëtare për të mashtruar qytetarët.

“Po e sa i përket Albin Kurtit natyrisht ai nuk ja lëshon rrugën sa i përket populistit ndoshta edh në mënyrë më të theksuar ndonjëherë. E kam theksuar disa herë dhe po e përsëris edhe këtu mendoj që ka qenë gabim ndërhyrja e tij në zgjedhjet në Shqipëri. Ka qenë gabim sjellja e tij totalisht e papërgjegjshme me premtime që sapo të vijë Vetëvendosja në pushtet ne do të bëjmë bashkimin kombëtar, ne do ta ndryshojmë këtë nen dhe atë nen të kushtetutës dhe ja u bë bashkimi. Domethënë ka qenë një deklaratë mashtruese ndaj qytetarëve të Kosovës dhe unë mendoj që nuk është mirë që politikanët ta keqpërdorin patriotizmin për interesa të politikës së tyre ditore”, u shpreh Robelli në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.

Sipas Robellit kemi të bëjmë me një betejë mes Ramës dhe Kurtit për të vendosur se cili është “bajrakatari” i shqiptarëve në Ballkan dhe kjo përplasje më qartë shihet me ndarjen që të dy i kanë bërë shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Dhe ky është problem shumë i madh dhe këta dy zotërinj, këto të dytë kanë një konflikt të madh me njëri-tjetrin sepse luftojnë për një lloj primati mes politikës shqiptare në rajon. Secili ka ambicie të jetë si të thuash bosi i lagjes edhe kemi të njëjtin konflikt në Maqedoni tani domethënë ku Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti përkrahin një krah politik dhe Tirana gjithnjë më hapët përkrah një krah tjetër politik dhe unë mendoj që kjo po e dëmton shumë politikën e shqiptarëve në Maqedoni. Domethënë është çështja e egove të dy burrave të cilët mendojnë që para ndërkombëtareve mund të paraqiten si bajraktarët e vetëm të kombit shqiptar në Ballkan”, deklaroi gazetari Enver Robelli në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos