Ish-kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar, Fatos Klosi ka zbuluar në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN detaje nga organizimi i UÇK-së.
Sipas tij Ramush Haradinaj dhe Rexhep Selimi kanë qenë luftëtarë me pushkë në frontin e luftës, ndërsa Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli ishin politikanë.
“Unë këta njerëz i kam njohur personalisht. Ne i mbanim heronj edhe gjatë luftës, sepse edhe ata kanë sakrifikuar. Nuk janë nga ata gjeneralët që rrinë në një shtab edhe vriten ushtarët poshtë. Edhe këta e kanë kaluar disa herë atë kufirin që ishte vërtetë shumë i vështirë që kanë ardhur në Tiranë, kanë shkuar në takime ndërkombëtare, domethënë kanë qenë vetë të rrezikuar. Ramushi një nga më të shkakit por edhe ky Selimi është komandant i një zone ku është luftuar seriozisht ndërkohë që Hashimi dhe Kadria kanë qenë politikanë. Kadria ka qenë shefi i shërbimit informativ. Po politikë bëhej dhe atje. Pra nuk janë këta njerëz që kanë qenë në luftë o burrë. Pastaj nuk e imagjinoj dot që dikush prej tyre të ketë tërheq këmbëzën”, zbuloi Klosi në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN.
Ai shtoi më tej se është bërë një përpjekje dy javore për të bindur komandatët e UÇK që të dorëzojnë armët pas luftës dhe në lojë kanë hyrë amerikanët.
“Ata po akuzohen që pse Ushtria Çlirimtare e Kosovës në fund të luftës dhe disa muaj nga akuza është mbas hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë kur përgjegjësia s'ishte më. Unë kam qenë dëshmitar i përpjekjeve që u bënë për ta çarmatosur UÇK-në. U bë një takim i madh në shtabin e përgjithshëm. Pastaj i morën amerikanët, i çuan të gjithë komandantët atje në Amerikë. I mbajtën dy javë për t'i bindur Kosovën dhe qenë të sinqertë se akoma ata po e mbrojnë Kosovën. Nuk është ushtria e Kosovës ajo që jep garancinë në Kosovë. Është NATO që jep garancinë”, tha Klosi në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN. (A2 Televizion)