Ish-kreu i SHIK, Fatos Klosi ka zbuluar në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN se avokatët amerikanë të të dy palëve në Gjykatën e Hagës në nisje të procesit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i kanë kërkuar që të jepte dëshminë e tij.
Ai u shpreh më tej se nëse do të kishte shkuar në Hagë për të dëshmuar, do të thoshte opinionet për liderët e UÇK, të cilët thotë se i ka adhuruar, pasi po sakrifikonin veten për lirinë e vendit.
“Jo unë nuk jam thirrur mua më kanë kërkuar të dy grupet e avokatëve, para katër vjetëve kur filloi procesi. Ata amerikanët që ishin, se tani s’janë më ata avokatë aty, se ata ikën ngaqë u ndërprenë fondet. Më kanë kërkuar: ‘Nëse do të duhet, a vjen? Vij u thashë. Por unë do të them ato që di. Opinione janë se unë se di ça ka ndodhur në një qytetet, në këtë datë, në atë datë. Unë kam opinionet e mia për ata njerëz që kam bashkëpunuar me ta. I kam adhuruar madje në një farë mënyrë sepse po sakrifikonin veten. E di mirë që po sakrifikonin. Hashimi biles njëherë u quajt se ishte vrarë në kufi, pastaj doli se jo ishte një tjetër, ishte ngatërruar. Nuk janë aq budallenj. Unë i njoh për njerëz të mençur. Që të binin në pozita të tilla, që të ishin kriminelë, kur po afrohej liria e vendit të tyre dhe heronjtë ishin ata. Nuk kishte asnjë kuptim”, zbuloi Klosi në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN. (A2 Televizion)