Kur kanë kaluar 10 ditë nga vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, masa e sigurisë dhe rregullat për hyrjen e qytetarëve që janë palë në seancat gjyqësore janë ashpërsuar madje edhe me prezencë të shtuar të policisë së shtetit.
Efektivë të Policisë së Shtetit ndodhen si jashtë godinës, ashtu edhe brenda ambienteve të gjykatës. Përveç kontrollit me skaner dhe detektor metali, qytetarëve që kanë seanca gjyqësore dhe avokatëve u bëhet edhe kontroll fizik nga punonjësit e sigurisë, nën mbikëqyrjen e policisë.
Ndryshe nga më parë, pritja për publikun tashmë bëhet jashtë godinës. Më parë ishte vendosur tabela informuese ku shkruhej "Hyrja për publikun" dhe qytetarët futeshin direkt brenda në paradhomën para skanerit, ndërsa tashmë rregulli ka ndryshuar.
Jashtë hyrjes është hequr tabela "Hyrja për publikun" dhe është vendosur tabela me mbishkrimin “Pritja për publikun”. Punonjësi i sigurisë i thërret qytetarët një nga një, në varësi të orarit të seancave, dhe çdo hyrje shoqërohet me kontroll të imtësishëm nën mbikëqyrjen e policisë.
Këto masa u vendosën pas ngjarjes së rëndë të 6 tetorit, ku 30-vjeçari Elvis Shkambi qëlloi për vdekje gjyqtarin Astrit Kalaja gjatë një seance gjyqësore.
Fillimisht u raportua nga policia se skaneri nuk funksiononte, por pamjet e sigurisë zbuluan se pajisja kishte qenë në punë, ndërsa punonjësi i sigurisë nuk kishte kryer kontrollin fizik të autorit të vrasjes. (A2 Televizion)