Banorët e Thethit i kanë bllokuar urën në hyrje të fshatit Policisë së Shtetit, teksa në terren vijon aksioni për shembjen e ndërtimeve pa leje.
Burime për A2 CNN bëjnë me dije se forcat e Policisë për momentin nuk mund të kalojnë për të qenë në mbështetje të IKMT-së gjatë aksionit.
Kujtojmë se dhjetëra banorë të fshatit turistik të Thethit, të cilët kundërshtojnë për shembjen e ndërtimeve pa leje në zonë, janë përplasur pasditen e djeshme me policinë, pasi kërkuan shpjegim për aksionin e IMT-së.
“Na jena këtu, 300 vjet, 400 vjet mor. Derisa ka le Perëndia, dhe pa pas konflikt me kënd…”, tha njëri prej tyre, shkruan A2 CNN.
“Na nuk jena njerëz kundra ligjit, duam një njeri që drejton në IMT, kush është? Ju lutem të flasim me të. Kaq kërkojmë. Ju jeni punonjës policie, na u kuptojmë se ju s’na keni asnjë lloj borxhi.”
Policët në terren u përpoqën t’i largojnë banorët e Thethit që janë duke protestuar, teksa një prej efektivëve dëgjohet duke thirrur me zë të lartë: “Jashtë objektit të tan, shpejt”.
Nuk kanë munguar as momentet e tensionit deri në kufijtë e përplasjes fizike mes disa banorëve dhe efektivëve të policisë.
“Nuk kapet qashtu siç kap ti mor burrë, se jena në pronë tonë mor burrë”, i është drejtuar një banor, njërit prej policëve, i cili prej krahu kërkonte ta largonte nga objekti ku mjetet e rënda të IMT-së janë duke kryer shembjen.
“Unë jam në vend tem, në shpinë teme mor burrë. Këtu e kena shpinë, tan fshati, këtu”, ia ktheu qytetari pas një tentative të radhës të efektivit për ta larguar me forcë. (A2 Televizion)