Një familje prej 5 anëtarësh në Trebinjë të Pogradecit mbeti e pastrehë pasi flakët e zjarrit përfshinë banesën e tyre mbrëmjen e të hënës. Për pasojë, e gjithë banesa, bashkë me orenditë dhe çdo send personal të familjarëve, u shkrumbuan.
Pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikësve, por edhe banorëve të zonës, banesa u dogj tërësisht, shkruan A2.
Fatmirësisht, nga flakët nuk pati të lënduar. Kryefamiljari Agron Qose tregon se gjithçka nisi pas një shkëndije elektrike në çati dhe më pas e gjithë banesa në pak sekonda u përfshi nga flakët: “Rreth orës 4, ishim në shtëpi brenda me gjithë gruan, dëgjuam një kërcitje, por nuk ia vumë veshin, vetëm kur erdhi një komshi dhe na thirri, dilni se u dogjët. Kur për 5 minuta ra çatia përdhe, ranë tavanet dhe s'mundëm dot të shpëtojmë asgjë prej gjëje hiç. Erdhi zjarrfikësja, por nuk patën mundësi të bënin shumë, bile njëri zjarrfikës u aksidentua duke fikur zjarrin sepse u rrëzua kur punonte”.
Teksa të pestë anëtarët e familjes mbetën pa çati mbi tokë, tashmë shpresa e tyre e vetme është shteti, pasi të gjitha kursimet e tyre të jetës i kishin futur në ndërtimin e shtëpisë. Kryetari i Bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli, teksa vizitoi familjen, tha se Bashkia do të bëjë të gjitha përpjekjet ligjore për ringritjen e banesës së djegur.
Aktualisht, familja Qose është strehuar tek të afërmit në fshat, ndërsa kanë nevoja urgjente për veshmbathje dhe ushqime bazë. (A2 Televizion)