
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ndërmarrë një aksion kontrolli në tregun e produkteve për mbrojtjen e bimëve, duke zbuluar shkelje në qytetin e Durrësit.
Më datë 22 tetor 2025, Drejtoria Rajonale e AKU Durrës kreu një inspektim në subjektin “Cultiva”, që ushtron aktivitet në tregtimin me shumicë të produkteve për mbrojtjen e bimëve.
Gjatë kontrollit, inspektorët konstatuan se afatet e ruajtjes së produkteve nuk përputheshin me ato të miratuara nga Ministria e Bujqësisë dhe të përcaktuara në dosjet zyrtare të regjistrimit.
Si pasojë, u bllokua një sasi prej 2,999.6 kilogramësh produkte PMB, ndërsa subjektit iu ngarkua detyrimi për të tërhequr nga tregu edhe 6,270.98 kilogramë të tjera, që tashmë kishin dalë në shitje, në përputhje me rregullat e gjurmueshmërisë.
Në vijim të procedurave, AKU Durrës ka bashkëpunuar me sektorin e Krimit Ekonomik, dhe rasti është referuar pranë Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore. (A2 Televizion)
