“Urdhërarresti për Thaçin doli kur po shkonte të takonte Trump-in”. Haklaj: Det do të bëhet në Tiranë për UÇK! Mbi 70 autobusë për Kosovë, Maqedoni...

Nga A2 CNN
16 Tetor 2025, 15:22 | Aktualitet

Azgan Haklaj, një nga organizatorët e protestës që do të mbahet në Tiranë të premten, në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha se mijëra vetë do të vijnë jenë të pranishëm në Sheshin Skënderbej. “Janë 70 autobusë gjerë tani nga Drenica, nga Klina, nga Gjilani, nga Kamenica, nga Prizreni, nga Drenasi, nga Deçani, nga Gjakova. 70 autobusë deri tani që janë në dispozicion. Mijëra vetë do vijnë nga Europa. Mijëra vetë do vijnë nga Maqedonia e Veriut. Sonte mbyllet fushata në Maqedoninë e Veriut. Zoti Ali Ahmeti e ka afruar mbylljen e fushatës për të qenë në sheshin Skënderbej për të kërkuar liri për bashkëthemeluesit e UÇK-së”, tha Haklaj i ftuar në Puls nga Bruna Çifligu në A2 CNN.

Duke komentuar rreth debatit në Kuvendin e Shqipërisë për pjesëmarrjen ose jo të Kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të PD, Sali Berisha, Haklaj tha se, si moderator i tubimit, do t’i lejonte të dy të flisnin. “I kam dëgjuar me vëmendje edhe zotin Rama, edhe zotin Kurti edhe zotin Berisha. Kam konstatuar që ata, çdo gjë që nuk e kanë nën kontroll, nuk duan të jenë pjesë. Sot Rama ka thënë që do të kisha dëshirë të isha të paktën fizikisht, por për të mos e politizuar nuk do të shkoj. Berisha tha jo, Rama do flasë 60 minuta. Moderatori i protestës, që do ta moderojë, jam unë. Dhe nëse vinte Rama e kërkonte fjalën e vinte Berisha sigurisht që do t’ia jepnin fjalën. Kjo është lojë fjalësh pingpong politik. Berisha ka thënë jam bërë non grata për Kosovën. Ja ku ka Kosovën. Ja ku e ka Kosovën”, shtoi Haklaj, shkruan A2 CNN.

Ai gjithashtu dënimi në bllok i liderëve të UÇK është i padrejtë dhe se nuk ka asnjë aktakuzë personale ndaj tyre. “Prokuroria thotë tani ndërmarrje e përbashkët kriminale. Mirëpo çfarë ndodhi? Pas deklaratës së James Rubin - i cili deklaroi si me lejen e Departamentit të Shtetit Amerikan - ka ndryshuar rrjedha, sepse po dalin tani që ka dëshmitarë të rremë të BIA-s serbe, ka dëshmitarë të intimiduar dhe në qoftë se duhet të dënohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, pse nuk dënohen George Washington, Garibaldi, Simon Bolivari, çlirimtarët. A ka paradoks më të madh sesa çlirimtarët, udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë në burg e shokët e Radojçiçit e Radojçiçi janë të lirë”.

“Prokurori James Smith ka nxjerrë urdhërarrestin për Hashim Thaçin, i cili po shkonte rrugës për të takuar Donald Trump-in. Ai prokuror ka goditur dhe Donald Trump-in. Do dalin gjëra shumë të rëndësishme në ditët në vijim”, tha Haklaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos