Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato ka folur për mediat nga Durrësit, aty ku ka vëzhguar ecurinë e procesit të votimit në qendrën e votimit 14/94, të qytetit bregdetar.
Gonzato tha se nuk do të shprehet për ecurinë e procesit tani, pasi theksoi se do të presë raportin dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR, që ka vëzhguesit e tij të vendosur në të gjithë Shqipërinë.
“OSBE/ODHIR po bën një punë shumë të mirë dhe kemi besim tek ta. Ne duam të kemi një përvojë, të shohim gjënë nga afër dhe mendimet që kanë vetë qytetarët, zgjedhësit dhe si po ecën procesi në përgjithësi. Kjo për arsye se këto janë zgjedhjet e para që po zhvillohen në Shqipëria pas çeljes së negociatave mes BE-së dhe Shqipërisë. Dhe negociata kanë nisur me grupkapitullin e parë siç janë sundimi i ligjit, standardet demokratike të drejtat e njeriut. Dhe mënyra sesi zgjedhjet do të organizohen dhe shkojnë janë shumë të rëndësishme edhe për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Sigurisht që dita e zgjedhjeve është vetëm një pjesë e procesit. Edhe pjesa pas votimit është shumë e rëndësishme, ndaj ne bëjmë një analizë por me shumë kureshtjet po presim të shikojmë gjetjet dhe rekomandimet e ODHIR. Nuk do të bëj ndonjë prononcim tashmë për mënyrën e zgjedhjeve sepse ne do të presim gjetjet që do të bëjë ODIHR pasi ata kanë një grup të madh në të gjithë Shqipërinë që po vëzhgon zgjedhjet”, tha Gonzato. (A2 Televizion)