Të hënën do të çlirohet hyrja kryesore e shkollës “Ali Laçej” e uzurpuar prej vitesh. Kështu është shprehur kreu i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci në një postim në Facebook, sipas të cilit do t’i jepet fund një situate të papranueshme për nxënësit dhe komunitetin.
“Është e papranueshme që nxënësit e shkollës “Ali Laçej” të detyrohen prej vitesh të hyjnë nga dera anësore, sepse hyrja kryesore e shkollës është uzurpuar. Gjatë vizitës në këtë shkollë, paralajmërova qartë se këto çudira duhet të mbeten pjesë e së shkuarës. Të hënën, kjo paligjshmëri merr fund dhe nis puna për rehabilitimin e zonës. Nxënësit e shkollës “Ali Laçej” do të kenë hyrjen që u takon, atë kryesore, me dinjitet dhe siguri”, shkruan Beci në Facebook.
Ai konfirmon se do të nisë menjëherë puna për rehabilitimin e zonës, duke garantuar hyrje të sigurt për shkollën.
“Ky qytet do të marrë frymë ndryshe, me rregull, respekt dhe kujdes. Ne nuk do të ndalemi derisa të vendosim normalitetin që Shkodra meriton”, përfundon kryebashkiaku shkodran. (A2 Televizion)