
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti në një ceremoni të veçantë mësues shqiptarë nga të gjitha trevat dhe diaspora, me rastin e Ditës së Mësuesit, për të vlerësuar kontributin e arsimtarëve në ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës shqipe ndër breza. Në këtë ceremoni morën pjesë mësues në pension nga e gjithë Shqipëria, arsimtarë nga shkollat shqipe në Kosova, Mali i Zi dhe rajoni, si dhe mësues të shkollave shqipe të diasporës nga vende të ndryshme të botës.
Në fjalën e tij, Begaj theksoi rëndësinë e 7 Marsit jo vetëm si një datë simbolike, por edhe si një moment reflektimi për rolin e arsimit në zhvillimin e kombit. Ai vlerësoi veçanërisht rolin e mësuesve në diasporë, duke theksuar se ata mbajnë gjallë lidhjen e brezave të rinj me gjuhën dhe identitetin kombëtar.
“Gjuha nuk është thjesht një mjet komunikimi, por është identiteti ynë. Ajo mbart në vete rrëfenjat e të parëve, këngët e djepit dhe ëndrrat e Rilindësve tanë. Sa herë humb një fjalë shqipe, humb edhe një pjesë e shpirtit tonë. Prandaj, puna juaj në diasporë nuk është thjesht mësimdhënie, por edhe ruajtje e lidhjes shpirtërore me kombin. Në klasat tuaja gjuha shqipe nuk mësohet vetëm si gramatikë. Ajo mësohet si histori, si kujtesë, si lidhje me gjyshërit dhe gjyshet, me vendlindjen dhe me rrënjët tona. Ju jeni ambasadorët tanë më të çmuar. Ju po parandaloni humbjen e shpirtit shqiptar në dallgët e globalizimit. Ju jeni ura që lidh brezat. Ju jeni garancia se integrimi nuk do të thotë asimilim. Ju jeni dëshmia se një komb nuk matet vetëm me territorin që ka, por me gjuhën që ruan dhe trashëgon”, nënvizoi presidenti Begaj.

Kreu i shtetit vlerësoi gjithashtu sakrificën e mësuesve nga Kosova gjatë periudhës së represionit të regjimit të Millosheviçit, kur shumë arsimtarë i kthyen shtëpitë e tyre në shkolla shqipe për të vazhduar mësimin e gjuhës dhe kulturës kombëtare.
“Ju dëshmuat se një populli mund t’i mbyllen shkollat, mund t’i ndalohen librat, mund t’i kufizohet liria, por kurrë nuk mund t’i ndalohet mendja, nuk i shuhet etja për dije dhe nuk i shteron vullneti për të edukuar brezin tjetër”, deklaroi Presidenti i Republikës, duke theksuar se falë kësaj sakrifice Kosova ka bërë progres të rëndësishëm në arsim.
Në fjalën e tij presidenti inkurajoi arsimtarët të përballen me sfidat e kohës, duke theksuar se arsimi cilësor mbetet një sfidë kombëtare.
“Gjuha jonë është pasuria jonë e përbashkët dhe mbrojtja e saj është një projekt kombëtar që na përfshin të gjithëve. Shteti duhet të jetë partneri juaj kryesor në këtë mision, duke siguruar që energjia juaj profesionale të ketë mbështetjen e duhur institucionale. Në emër të Republikës së Shqipërisë, ju shpreh mirënjohjen më të thellë për dijen që përcillni, për përkushtimin që tregoni dhe për shembullin që jepni e frymëzoni”. (A2 Televizion)