
Kryeministri Edi Rama ka inspektuar rrugën provizore të aksit Librazhd-Prrenjas, e cila u hap pasi juglindja kishte mbetur e bllokuar prej 11 ditësh. Gjatë takimit me banorët e zonës, Rama mohoi se që shembja e aksit Librazhd-Prrenjas erdhi prej aferave korruptive, por sipas tij bëhet fjalë për një fenomen natyror, ndërsa shprehu keqardhjen për situatën.
“Plagë e hapur që ka shkaktuar një rrebesh balte të jashtëzakonshëm të prodhuar nga makineria e baltës politike e mediatike që ka tundur 700 tenxheret me gjithfarë shpifjesh, akuzash e fantazish se me demek, u shemb rruga nga korrupsioni, ndërkohë që është shumë e qartë që segmenti është i vjetër dhe rrëshqitja lidhet me një fenomen tërësisht natyror. Shpejtësia e gënjeshtrës është bërë shumë më e madhe, ndërkohë që e vërteta është në vështirësi shumë të madhe për shkak të vorbullave dhe uraganëve të gënjeshtrave që vijnë nga të katra anët na pasqyrat e telefonave dhe kanalet e medias. E vërteta në fund gjithmonë del dhe fiton. Duhet vetëm durim dhe këmbëngulje për të vazhduar drejt. Më vjen keq që gjëja ka ndodhur, ka shkaktuar shumë shqetësime dhe ka prishur ritmin e jetës për shumë banorë, por jemi këtu për të vënë qetësi për një kalendar pune dhe afatet e reja që i kemi vënë vetes”, tha Rama.
Ai shoqërohet nga ministri i ri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi dhe ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo. (A2 Televizion)