Mazhoranca ka propozuar ndryshime në ligjin për Gardën e Republikës pas dështimit të garës për zgjedhjen e drejtuesit të ri. Projektligji i depozituar në Kuvend nga deputetja socialiste Antoneta Dhima parashikon heqjen e konkursit për përzgjedhjen e drejtorit të Gardës. Sipas ndryshimeve të propozuara, drejtori do të emërohet drejtpërdrejt nga Kryeministri me propozim të ministrit të Brendshëm. Ndryshimet parashikojnë gjithashtu heqjen e disa kritereve ligjore, mes tyre edhe kërkesën për arsimim në nivel master.
Pas dështimit të garës për zgjedhjen e drejtuesit të ri të Gardës së Republikës, mazhoranca ka ndërmarrë hapin e radhës duke kërkuar ndryshime në ligjin për Gardën dhe në kriteret për përzgjedhjen e drejtuesit. Deputetja e Partisë Socialiste, Antoneta Dhima, ka depozituar në Kuvend projektligjin për ndryshimet në ligjin për Gardën.
Në këtë projektligj që A2 CNN e disponon, propozohet ndryshimi i mënyrës së zgjedhjes së drejtuesit të Gardës, duke hequr konkursin. Sipas propozimit të ri, drejtori i Gardës do të zgjidhet pa konkurs, me emërim të drejtpërdrejtë, ministri i Brendshëm do t’i propozojë Kryeministrit emrin e kandidatit dhe më pas Kryeministri do të vendosë për kreun e ri të Gardës.
Ligji aktual, i ndryshuar së fundmi në vitin 2024, parashikon se Drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës emërohet nga Kryeministri me propozim të ministrit dhe i jepet grada “Drejtues Madhor”. Por kandidati duhet të përzgjidhet pas një procesi konkurrimi të hapur, të bazuar në parimet e mundësive të barabarta, meritokracisë dhe mosdiskriminimit.
Ndërkohë, në propozimin e ri hiqet konkurrimi dhe përcaktohet se “Drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës së Shqipërisë emërohet nga Kryeministri me propozim të ministrit dhe i jepet grada ‘Drejtues Madhor’. Ai përzgjidhet nga radhët e punonjësve të Gardës që mbajnë gradën ‘Drejtues i Parë’ ose ‘Drejtues i Lartë’”.
Përveç heqjes së konkursit, projektligji vendos edhe një kufizim të ri, drejtori i Gardës duhet të zgjidhet vetëm nga radhët e punonjësve të Gardës dhe nuk mund të vijë nga jashtë institucionit.
Po ashtu, projektligji parashikon shfuqizimin e shkronjave “d” dhe “dh” të nenit 17, që lidhen me kriteret që duhet të plotësojë drejtori i Gardës. Me këto ndryshime hiqet edhe kërkesa për arsimim në nivel master. Konkretisht, shfuqizohet kriteri që drejtori të ketë përfunduar ciklin e dytë të arsimit të lartë në fushën e rendit ose sigurisë, si dhe kriteri për përvojë pune jo më pak se 10 vite në këtë fushë.
Të gjitha këto ndryshime që pritet të bëjë mazhoranca në ligjin për Gardën për zgjedhjen e drejtuesit duket se përforcojnë edhe faktin se gara e hapur më herët dështoi, pasi një nga aplikantët që pritej të zgjidhej në krye të Gardës nuk përmbushte disa nga kriteret ligjore, mes tyre edhe ciklin e dytë të arsimit të lartë, atë të masterit, kriter që tashmë pritet të hiqet nga ndryshimet në ligj. (A2 Televizion)