
Një deklaratë ironike e Kryeministrit Edi Rama në podcastin “Flasim” ka hapur një debat mbi marrëdhëniet mes institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë. Rama rrëfeu një episod, sipas tij problematik, ku tre hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit nuk kishin pranuar të dorëzonin armët në hyrje të Kryeministrisë, duke e cilësuar sjelljen si shenjë arrogance dhe tejkalim kompetencash.
Por reagimi i BKH-së ka qenë i menjëhershëm, duke hedhur poshtë versionin e Kryeministrit dhe duke sqaruar se gjithçka ka ndodhur pa asnjë tension apo përplasje.
Sipas njoftimit zyrtar, tre hetues të BKH-së janë paraqitur në ambientet e Këshillit të Ministrave për të zbatuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, që parashikonte pezullimin nga detyra të Zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Në hyrjen e brendshme të institucionit, Garda e Republikës i ka informuar hetuesit se, sipas rregullave të sigurisë, nuk lejohej hyrja me armë zjarri. Njëri prej hetuesve ka kërkuar sqarime për procedurën dhe vendin e depozitimit të armëve, ndërsa Garda i ka orientuar drejt dollapëve të posaçëm të sigurisë. Pas verifikimit se ambienti ishte i sigurt dhe i monitoruar me kamera, armët janë depozituar dhe veprimet procedurale kanë vijuar normalisht.
“Në asnjë moment nuk ka pasur debat apo përplasje mes hetuesve të BKH-së dhe Gardës së Republikës”, thekson Byroja, duke shtuar se e drejta e hetuesve për mbajtjen e armës mbështetet në ligjin nr. 25/2019 për Policinë Gjyqësore.
Nga ana tjetër, Kryeministri Rama, pa përmendur drejtpërdrejt këtë rast si shkelje ligjore, e përdori episodin për të ngritur shqetësime më të gjera mbi mentalitetin e disa aktorëve të drejtësisë. Ai foli për rrezikun që, në emër të pavarësisë së gjyqësorit, të krijohet perceptimi se “dikush është shteti, ligji dhe drejtësia”, duke kërkuar një reflektim serioz profesional dhe ndërinstitucional. (A2 Televizion)