
Ekipi i Emergjencave Civile dhe Rurale të Bashkisë Kukës, me mjete teknike, ka nisur punën për hapjen e një rruge që lidh fshatrat e njësisë administrative Zapod me rrugën nacionale Kukës–Shishtavec, e cila është e bllokuar pas rrëshqitjes së dheut dhe gurëve si pasojë e reshjeve të dy ditëve të fundit.
Drejtori i Rrugëve Rurale, Bilbil Shahu, duke folur për situatën e rrugëve në fshatrat e Bashkisë Kukës, theksoi se të gjitha mjetet teknike dhe njerëzore janë vendosur në dispozicion, për të bërë të mundur hapjen e disa akseve rrugore rurale, shkruan A2 CNN.
Ndërkohë, banorët e fshatrave Cërnaleve dhe Oreshkë bënë të ditur vështirësitë që hasin gjatë periudhave me reshje të dendura shiu dhe borë, duke mbetur të izoluar deri në ndërhyrjet e nevojshme nga ekipet e emergjencave civile.
Aktualisht, situata e motit në Bashkinë Kukës është e qetë, por sipas parashikimeve meteorologjike, priten reshje bore në ditët në vijim. (A2 Televizion)