Për të dytën ditë radhazi situata vijon të jetë e rëndë në burgun e Durrës, ku kati i parë është nën ujë.
Këtë të mërkurë, autoritetet kanë përdorur gomone për të lëvizur, ndërsa të burgosurit janë zhvendosur në katet e mësipërme.
Ndërkohë, në zonën e ish-Kënetës në Durrës janë me dhjetëra familje që kanë kaluar natën totalisht nën ujë, për shkak të përmbytjeve të një dite më parë. “Pjesa më e madhe e familjarëve janë larguar, një pjesë janë akomoduar në Kavalishencë apo në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme, ndërkohë që pjesa tjetër kanë qëndruar në banesat e tyre, me frikën se situata mund të agravojë nëse reshjet vijojnë”, raportoi në “Dita jonë” gazetarja e A2 CNN Elitjona Doko.
“Është një situatë që, për fat të keq, pas tërmetit, konsiderohet ndër më të vështirat që Durrësi ka përjetuar. Kemi parë përmbytje edhe herë të tjera, kemi parë prezencë uji, por si kjo herë, të paktën në vitet që unë kam punuar apo kam jetuar në Durrës, nuk ka ndodhur. Qytetarët janë të shqetësuar dhe një pjesë e tyre kanë marrë masa vetë, duke u përpjekur të pengojnë depërtimin e ujit në banesa”.
Ajo shtoi se pavarësisht thirrjeve për ndihmë, mundësitë për ndërhyrje në zonë kanë qenë të kufizuara dhe situata mbetet problematike. “Zona e ish-Kënetës është pothuajse e mbuluar në të gjithë sipërfaqen e saj. Janë me qindra banesa që ndodhen nën ujë që prej ditës së djeshme. Problematika ka edhe në zonën e Spitallës dhe të Shkozetit, ku kanali i ujërave të zeza ka dalë nga shtrati dhe uji vijon të jetë prezent në të gjitha banesat përreth”, tha Doko.
Edhe lumi Erzen ka arritur kuotat maksimale të fryrjes. Deri më tani raportohet vetëm një dalje e vogël në afërsi të shkollës së Katund-Sukthit, por pa problematika serioze deri në këto momente.
Sytë e të gjithë banorëve të Durrësit janë nga qielli, me shpresën që reshjet të ndërpriten dhe situata të mos përkeqësohet më tej. Jeta në qytet është pezulluar pothuajse tërësisht: shkollat dhe universitetet kanë ndërprerë aktivitetin, ndërsa shumë qytetarë nuk kanë mundur të shkojnë në punë, si për shkak të dëmeve, ashtu edhe nga frika e përshkallëzimit të situatës. (A2 Televizion)