Cila është kirurgjia e duhur për kancerin e gjirit? Kryeni kontrolle çdo 6 muaj

Nga Armend Pire
14 Shtator 2025, 12:34 | Aktualitet

Trajtimi i kancerit të gjirit në stade më të avancuara mund të çojë në nevojën e kirurgjisë, si alternative më e mirë për trajtim. Shpesh kemi të bëjmë me një kirurgji totale për heqjen e gjirit, që shumë gra e vajza e përjetojnë shumë emocionalisht këtë ndërhyrje. E megjithatë ka dhe raste të shumta kur gjiri mund të ruhet. I ftuar në studion e emisionit “Diagnozë” nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, kirurgu onkolog Dr. Shk. M. Artan Bodeci nga Spitali Amavita tregoi mënyrat sesi ndërhyhet me kirurgji sipas rasteve specifike.

“Një larmi kirurgjish, mënyra për përzgjedhjen se cila i duhet pacientit. Në rastet kur ti ke masë unike, pra nuk ke disa masa në gji. Në raste kur masa nuk është e vogël, por është në stadin e parë të saj, që është në dimensione më pak se sa dy centimetra dhe nuk është qendrore, ti patjetër do aplikosh atë që quhet kirurgjia konservative. Nga ana tjetër, në qoftë se ti ke një masë të madhe, në qoftë se ti ke një masë që pavarësisht se ka bërë kimioterapi neoadiuvante ose paraoperacioni dhe ajo nuk ka reaguar ndaj kësaj lloj terapie, patjetër që ajo do heqw gjirin, por sot dhe ky grup nuk e heq gjirin, sepse janë një sërë teknikash të tjera operatore që ti mund të heqësh gjithë volumin gjëndror të gjirit, duke ruajtur lëkurën me strukturat e veta, ndoshta plus minus dhe kompleksin qëndror, pra thithin me areolën dhe duke vendosur atë që thashë pak më parë, protezat anatomike”, tha kirurgu onkolog.

Në trajtimin e kancerit të gjirit me kirurgji shpesh shfaqen dilema në opinionin publik, por edhe në diskutime mes mjekësh. Mastektomia ka qenë një nga metodat e hershme për këto ndërhyrje.

“Kur ka nisur trajtimi i kancerit të gjirit nga ana kirurgjikale me mastektominë ka nisur. Ishte revolucionarizim i terapive të tjera konvencionale, që ishte qoftë radioterapisë apo dhe kimioterapisë dhe koncepteve dhe teknikave kirurgjikale dhe lindi koncepti i asaj që quhet kirurgjia onkoplastike ose kirurgjitë konservative të gjirit. Janë bërë një sërë studimesh, tani më kjo nuk vlen më për t'u diskutuar në botën onkologjike moderne që trajtimi me mastektomi dhe trajtimi me kirurgji konservative e cila pasohet me rrezatim e ka ecurinë ndaj recidivave lokale pak më shumë tek mastektomia. Thuhet dhe nga mjekët domethënë që më mirë të heqim gjirin se sëmundja nuk përsëritet, jo, sëmundja i ka njësoj risqet për t'u përsëritur, sepse ti dhe kur bën mastektominë do bësh patjetër terapi të tjera ndihmëse, qoftë hormonoterapi, kimioterapi apo plus minus rezatim” – u shpreh mjeku Artan Bodeci.

Emisioni “Diagnozë” sjell edhe rrëfimin ekskluziv të një paciente e cila e ka fituar betejën me kancerin e gjirit. Ajo po ndjek terapinë e plotë rikuperuese pranë Spitalit Amavita, aty ku u trajtua që nga momenti i parë i diagnostikimit. Pacientja rrëfen vështirësitë e kësaj sëmundje, por kurajoja dhe profesionalizmi i mjekëve e bënë atë më të fortë në këtë betejë për jetën. Ajo shpreh mes lotëve edhe falenderimet ndaj kirurgut onkolog Dr. Shk. M. Artan Bodeci i cili është marrë hap pas hapi me rastin në fjalë.

“Kam bërë gati 16 seanca kimioterapie, katër seancat e para kanë qenë një në tre javë dhe 12 seancat e tjera kanë qenë çdo javë. Sigurisht që janë të lodhshme, të ndryshojnë totalisht nga ana psikologjike, ke vështirësi përsa i përket të ushqyerit, nuhatjes e të tjerë. Sigurisht pastaj fillojnë ato efektet e rënies së flokëve që dihet domethënë që kjo sëmundje i ka. Ne jemi si popull që ndonjëherë i mbajmë gjërat fshehurazi, por në të vërtetë duhet t’i ndajmë si histori, sepse duke ndarë një histori dikush do të orientohet tek doktori i duhur, spitali i duhur, doktoresha e duhur, sepse kjo sëmundje do një staf profesionistësh që dhe ti t’ia kalosh dhe të dalësh me një proces të suksesshëm ”, tregoi pacientja.

Emisioni Diagnozë, nga moderatorja dhe autorja Freskida Miloti, vjen për teleshikuesit e A2 CNN çdo të shtunë në orën 19:15, me tematika të ndryshme dhe mjaft të rëndësishme për shëndetin. Qëndroni të informuar nga mjekët më profesionistë që janë pjesë e emisioneve tona, për një shëndet më të mirë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos