Moti i keq goditi juglindjen, ja si paraqitet situata në terren

Nga A2 CNN
24 Nëntor 2025, 09:54 | Aktualitet

Moti i keq goditi juglindjen, ja si paraqitet situata në terren

Reshjet intensive që kanë rënë në qarkun e Korçës gjatë orëve të fundit kanë shkaktuar një sërë problematikash në disa bashki, ndërsa strukturat vendore dhe ekipet e emergjencave kanë vijuar punën pa ndërprerje për normalizimin e situatës.

Korça – prurje të rritura dhe ndërhyrje në disa zona

Në njësinë Voskopojë ka vazhduar sistemimi i rrugës që të çon drejt varrezave, ndërsa në Bulgarec vijon pastrimi i tombinove në zonën e Çifligut. Po monitorohen prurjet e lumit të Kamenicës dhe degëzimet në Dvoran, ndërsa në Voskop po riparohen argjinaturat e dëmtuara. Ekipet po punojnë edhe për hapjen e aksit Tudas–Lavdar–Bozdovec–Mazrekë.

Kolonja – lumi i devijuar për të shpëtuar urën

Në Kolonjë, ndërhyrje kritike u kryen në urën e Qinamit, ku u devijua rrjedha e lumit për të shmangur rrezikun në këmbët e saj. Në Starje u larguan ujërat problematike, ndërsa në Prodan u punua në shtratin e lumit. Zjarrfikësit pastruan pusetën qendrore të ujit në Ersekë, me NJVKSH që konfirmon se uji është i pijshëm.

Maliq – argjinatura të çara, punime me mbështetje shtetërore

Në Bashkinë Maliq janë duke u mbyllur çarjet në argjinaturat e lumenjve Dunavec dhe Devoll, me ndihmën e subjekteve private dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Puna nisi që në orët e para të mëngjesit dhe vijon ende.

Pustec – situata e qetë

Bashkia Pustec raporton situatë të normalizuar dhe pa problematika.

Devoll – tokë bujqësore e përmbytur, ndërhyrje të menjëhershme

Në Progër janë sistemuar zonat ku lumenjtë kishin çarë pritat dhe është çakulluar rruga e dëmtuar. Në Hoçisht u punua për sistemimin e lumit të Borshit, ku çarja kishte përmbytur një sipërfaqe të gjerë tokash.

Pogradec – 62 familje me dëme, ndihma ushqimore dhe rrëshqitje dherash

Komisionet e verifikimit kanë evidentuar dëme në 62 familje, të cilave u janë shpërndarë ndihma ushqimore. Problematika është konstatuar përgjatë lumit të Verdovës, Rëmenjit dhe pranë gurores, ku ekipet kanë ndërhyrë për menaxhimin e rrjedhjeve.
Në Dardhas janë pastruar katër akse rrugore, ndërsa në qytet vijon pastrimi i pusetave dhe rrugëve.

Në aksin Pogradec–Bucimas, pranë Gështenjasit, ka ceduar rreth 50 metra nga korsia e biçikletave.
Në rezervuarin Stropskë 2 është regjistruar një rrëshqitje dherash prej 4 dynymësh, me ekipet që vijojnë vlerësimin.
Hidrovori i Tushemishtit funksionon normalisht.

Energjia – vetëm një zonë pa furnizim

Sipas OSHEE, pa energji mbetet zona Kurtesh në fiderin 6 të N/St Mollas, me vetëm 11 abonentë. Të gjithë fiderat e tjerë, përfshirë ata që furnizojnë objektet kritike, funksionojnë plotësisht.

Qarkullimi rrugor – inerte në Qafë Plloçë–Qukës

ARRSH njofton se në aksin Qafë Plloçë–Qukës po pastrohen inertet nga shtrati i rrugës, ndërsa qarkullimi është normalizuar falë hapjes së një rruge sekondare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos