Një valë e gjatë virozash po qarkullon prej muajsh dhe duket se nuk po zhduket. E ftuar në Dita Jonë në A2 CNN, mjekja Valbona Shahini shpjegoi se situata nuk është alarmante, por kërkon kujdes të vazhdueshëm, sidomos te fëmijët.
Sipas saj, virozat po shfaqen më shpesh për shkak të ndryshimeve të motit, të cilat krijojnë kushte ideale për qarkullimin e viruseve. “Nuk dimë si të vishemi, as ftohtë, as ngrohtë. Kjo i favorizon viruset”, tha Shahini.
Cilat janë simptomat?
Sipas mjekes, viroza e re që po qarkullon nuk ndryshon shumë nga viruset klasike të sezonit. Simptomat kryesore janë:
· Rrufë dhe bllokim hundësh
· Temperaturë nga 37 deri mbi 39°C
· Kollë, që shpesh nis pas rënies së temperaturës
· Lodhje, dhimbje trupi dhe, në disa raste, kalim në infeksion bakterial që kërkon antibiotikë.
Ajo paralajmëron se pikërisht kalimi nga virozë në infeksion bakterial është momenti kur duhet konsultë mjekësore.
Si të mbrohemi?
Mjekja nënvizon tre elementë kyç: veshja, ushqimi dhe hidratimi.
· Fëmijët duhet të vishen shtresë mbi shtresë, pa u mbinxehur dhe pa u djersitur.
· Duhet konsumuar ushqim i stinës: agrume, mollë, karota, panxhar, selino, perime dhe fruta me vitamina.
· Rëndësi të madhe ka hidratimi, sidomos te pacientët me temperaturë.
Shahini rekomandon edhe përdorimin e vitaminës C dhe D gjatë gjithë dimrit, për të rritur imunitetin.
A janë fëmijët shpërndarësit kryesorë?
“Jo gjithmonë,” shprehet mjekja, duke shtuar se shpesh virozat futen në shtëpi nga të rriturit që nuk shfaqin simptoma të forta, por janë bartës.
Në fund, Shahini bën thirrje për kujdes, por jo panik: “Stina e virozave është e gjatë. Duhet vetëm vëmendje te veshja dhe ushqimi, për të kaluar sa më lehtë këtë periudhë.” (A2 Televizion)
