Reshjet e dëborës kanë zbardhur këtë të diel zonat malore të juglindjes së vendit, duke rikthyer panoramën dimërore në fshatrat turistikë të Korçës. Në lartësitë mbi 1 mijë metra, trashësia e dëborës ka arritur deri në 10 centimetra, ndërsa reshjet janë shoqëruar me një rënie të ndjeshme të temperaturave. Në Dardhë, termometri pritet të zbresë deri në minus 12 gradë Celsius.
Reshje janë regjistruar edhe në Voskopojë, Vithkuq e Shtyllë të Korçës, në Qafë Thanë dhe zonën e Mokrës në Pogradec, si dhe në zonat malore të Kolonjës.
Pavarësisht kushteve atmosferike, të gjitha akset rrugore janë të kalueshme, përfshirë ato që të çojnë drejt destinacioneve turistike. Situata me furnizimin me energji elektrike paraqitet e qëndrueshme, me përjashtim të disa fshatrave të thella malore, ku janë regjistruar ndërprerje të herëpashershme për shkak të amortizimit të rrjetit.
Për shkak të temperaturave të ulëta dhe rrezikut të ngricave, Policia Rrugore u bën apel drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të përdorin goma dimërore.
(A2 Televizion)