Detyrat e vjetra në kontekstin e ri: Shqipëria, të frenojë shpopullimin dhe mirëpresë emigrantët e huaj

Nga Marjo Brakaj
18 Qershor 2025, 15:24 | Aktualitet

Të frenojë largimet e shqiptarëve drejt Perëndimit dhe të trajtojë denjësisht të huajt që hyjnë në territor si emigrantë të parregullt. Janë këto dy detyrat e vjetra në kontekstin e ri të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian që Shqipëria duhet të përmbushë me sukses. Për t’i dhënë një dorë vendit po mendojnë Bashkimi Evropian dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara, me anë të programit “BE për Migracionin”.

“Mbështesim objektivat specifike që burojnë nga negociatat e anëtarësimit, në mënyrë që të arrihet progres urgjent. Megjithatë, dua të theksoj se ky projekt është këtu për të ofruar mbështetje, pjesa më e madhe e punës, përfshirë hartimin e mëtejshëm ligjor, sigurimin e funksionimit të mirë të shërbimeve përkatëse dhe ndarjen e mjaftueshme të buxhetit, duhet të realizohet para së gjithash nga autoritetet shqiptare”, tha ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato.

Shqipëria do të shpenzojë mbi 3.5 miliardë lekë apo rreth 35 milionë euro në dy vite për menaxhimin e vijës kufitare të vendit, të gjatë 1 mijë e 94 kilometër. Gati 1.9 miliardë lekë do të shpenzohen për menaxhimin e 657 km vijë kufitare tokësore, 316 km vijë bregdetare, 48 km vijë ndarëse e lumenjve dhe 73 km e liqeneve. Pjesa tjetër e parave do të shkojnë për të lehtësuar qarkullimin e mallrave dhe njerëzve në dogana si dhe për të pritur e trajtuar azilkërkues me kombësi të ndryshme.

“Projekti ka gjithashtu një komponent të fuqishëm për përmirësimin e sistemeve dhe të infrastrukturës. Pra, do të ketë rritje të kapaciteteve fizike dhe të sistemeve, por më e rëndësishmja është që ky projekt është për njerëzit. Është për gjetjen e zgjidhjeve për gratë që ikin nga konfliktet apo udhëtojnë të vetme, për fëmijët e pashoqëruar ose të ndarë, për migrantët që dëshirojnë të kthehen në vendin e origjinës sepse nuk mund të qëndrojnë ligjërisht në Ballkanin Perëndimor”, tha Laura Lungarotti, koordinatorja e IOM për Ballkanin Perëndimor.

Veç rritjes së sigurisë në gati 29 mijë kilometër katrorë sipërfaqe të vendit, programi “BE për Migracionin”  e çon Shqipërinë një hap më pranë “unionit”.

“Fokusi do të jetë të ngritja e kapaciteteve operacionale për flukset emigratore, zhvillimin e mekanizmave të koordinuar për parandalimin në raste të rritje të flukseve. Ky projekt do të kontribuojë edhe në rritjen e kapaciteteve që lidhet me luftën kundër kontrabandimit të emigrantëve. Asistenca do të jetë tepër e vyer dhe objektivat e qeverisë në funksion të angazhimeve të ndërmarra, për garantimin e të drejtave dhe lirive të emigrantëve dhe refugjatëve do të bëhen në realitet në përputhje të plotë me standardet e BE”, u shpreh Besfort Lamallari, Zv.ministri i Brendshëm.

Në thelb, “BE për Migracionin” është një mjet strategjik që lidh aspiratat e Shqipërisë për BE me nevojën për sisteme humane dhe efikase migrimi. Ai krijon rrugë ligjore, forcon mbrojtjen për refugjatët dhe menaxhon flukset e ndryshme migratore në mënyrë të përbashkët, duke sjellë përfitime afatgjata për shoqërinë dhe institucionet shqiptare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos