Kumbaro nga Durrësi: Dyfishimi i hapësirave publike, përgjegjësi më e madhe për institucionet

Nga A2 CNN
18 Qershor 2025, 12:11 | Aktualitet

Kumbaro nga Durrësi: Dyfishimi i hapësirave publike,

Vija bregdetare e Durrësit ka qenë ndalesa e radhës për ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, në vijim të turit të inspektimeve në bregdet, ku prej 15 qershorit ka nisur operacioni “Plazhe të Pastra”, përmes të cilit Agjencia Kombëtare e Bregdetit mbështet 8 bashki bregdetare në pastrimin e plazheve.

Kumbaro theksoi se me ndryshimin thelbësor të rregullores së plazheve dyfishohen hapësirat publike, shtohen përgjegjësitë e institucioneve për mbarëvajtjen e sezonit, shkruan A2.

E shoqëruar në këtë inspektim nga kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako dhe drejtori i policisë së Durrësit, Kumbaro u shpreh: “Plazhet publike nuk do t’i kemi në fillim apo në fund të Durrësit, por të ndërprera me qëllim që pushuesit të kenë mundësi t’i akesojnë në segmente të ndryshme, sepse është një vijë shumë e gjatë bregdetare. Nga ana tjetër, bashkëpunimi i Policë së Shtetit me Policinë Bashkiake dhe Agjencinë Kombëtare të Bregdetit duhet të forcohet me qëllim që të mos lejohet zaptimi i plazheve, por edhe për sa i përket pastërtisë, sepse ka të bëjë me krimin mjedisor. Do të përdorim të gjitha masat, që nga sensibilizimi e edukimi, por edhe masat që kanë të bëjnë me tërheqjen e vëmendjes dhe gjobat. Përveç banorëve, probleme ka edhe me bizneset, restorantet që i hedhin mbeturinat në vende të paparashikuara, prandaj policia duhet të jetë e vëmendshëm ndja këtyre gjesteve.”

Gjithashtu, Kumbaro theksoi me rëndësi vëzhgimin me mjetet e Policisë Kufitare për incidentet dhe kontrollin e mjeteve të paligjshme të turizmit detar. Gjatë inspektimit të saj, ministrja Kumbaro u takua edhe me përfaqësuesit e operatorit shtesë të pastrimit nga ana e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, të cilët kanë nisur punën që prej 15 qershorit për pastrimin e plazheve: “Operacionin plazhe të pastra sivjet e shtrijmë në të gjithë bregdetin, nga Velipoja deri në Ksamil ku Agjencia Kombëtare e Bregdetit me bashkitë përkatëse dyfishojnë forcat, mjetet, koshat dhe kapcaitetet njerëzore. Do të jemi 24 orë në territor, por nuk mund t'ia dalim dot nëse nuk do të kemi bashkëpunimin e bizneseve dhe gjithë qytetarëve. Përveç pastrimit dhe evadimit të koshave, do të ketë dezinfektim dhe larje të vendeve ku grumbullohen mbetjet, të shëtitoreve, rrugëve, hapësirave publike dhe e kemi më të madhe punën sivjet për shkak të shtimit eksponencial të plazheve publike”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos