
Ndërkohë që aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje është rikthyer sërish në Theth, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ndërtuesit se kushdo që ndërton pa leje do të gjejë belanë. Në një postim në rrjetet sociale, teksa ndan videon nga shembja me eksploziv e një objekti 3-katësh në Theth, kreu i qeverisë shprehet: “Kush ndërton më pa leje, investon vetëm për belanë e vet. Theth përsëri dhe kudo përsëri e përsëri, deri në fund, për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”.
Dhjetëra forca policie bashkë me inspektorët e IKMT, IMT të bashkisë, forcat xhenio dhe fadroma mbërritën që në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin turistik të Thethit duke vijuar aksionin e lënë në mes gjatë verës për prishjen e ndërtimeve pa leje.
A2 CNN raporton se fillimisht ndërhyrja ka nisur tek një objekt trekatësh i ngritur vitin e fundit. Kjo godinë është vendosur që të shembet me eksploziv tritol për shkak të lartësisë dhe pamundësisë për ta shembur përmes fadromave.
Në total janë 8 objekte në listë që priten të shemben fillimisht, godina trekatëshe dhe 7 shtëpiza druri të ndërtuara pa leje për të cilat janë marrë vendimet përkatëse nga IMT. (A2 Televizion)