“Emergjencat në një komandë të vetme!” Koçiu: Do të krijojmë Qendrën Kombëtare të Trajnimit të Zjarrfikësve

Nga A2 CNN
4 Tetor 2025, 10:00 | Aktualitet

Në prezantimin e strategjisë së re të mbrojtjes civile, Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu deklaroi se strukturat për emergjencat do të vendosen në një komandë të vetme. Sipas saj kjo bëhet me qëllim për koordinimin dhe bashkëpunimin ndërinstitucional për të mbuluar të gjithë territorin.

"E nevojshme dhe e domosdoshme që këto struktura të vendosen në një komandë të vetme kur vjen puna te emergjencat. Kjo komandë të jetë në gjendje që të koordinojë si trup i vetëm të gjithë aksionet dhe të perfeksionojë bashkëpunimin ndërinstitucional, të maksimalizojë efikasitetin e përdorimit të fondeve dhe të rrisë në mënyrë efektive mbulimin në të gjithë territorin“, tha Koçiu.

Ministrja njoftoi gjithashtu edhe krijimin e Qendrës Kombëtare të Trajnimit të Zjarrfikësve, duke vendosur kritere të qarta dhe vlerësim periodik të aftësive të tyre.

“Do të standardizojmë procedurën e pranimit në këtë shërbim, duke nisur me procedurat e rekrutimit. Do të aplikojmë modelet e suksesshme, duke vendosur edhe punonjësit në këtë shërbim në një selektim me kritere të qarta, me analizë të qartë të formimit periodik të vlerësimeve bazë të rekrutimit dhe aftësive të tyre fizike, psikologjike dhe profesionale. Për trajtim të vazhdueshëm do të krijohet qendra kombëtare e trajnimit të zjarrfikësve. Të gjithë zjarrfikësit do të marrin trajnim të vazhdueshëm. I gjithë procesi do të shoqërohet me skema motivuese për përfitime financiare dhe ngritje në karrierë. E fundit janë edhe fushatat e vazhdueshme të ndërgjegjësimit dhe edukimit që do të nisen që nga shkollat dhe do shtrihen në çdo strukturë vendore”, theksoi Koçiu. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos